Dua Lipa bën historinë, bëhet shqiptarja e parë që fiton dy çmime “Grammy”
Artistja shqiptare me fame botërore, Dua Lipa, ka shkruar historinë duke u bërë shqiptarja e parë që rrëmben një çmim të dytë “Grammy”.
Ajo u shpall fituese në mbrëmjen më të madhe muzikore e vitit Grammy Awards 2019 në kategorinë “Kënga më e mirë e zhanrit Dance”, për këngën e saj “Electricity”, në bashkëpunim me Mark Ronson dhe Diplo. Ajo po ashtu ka rrëmbyer edhe çmimin si artistja e re më e mirë.
“Jam artiste me dy çmime Grammy!!! Jam shumë e përulur dhe mirënjohëse në këtë moment. I dërgoj shumë dashuri fansave të mi, familjes sime, ekipit tim, të gjithë artistëve të mahnitshëm me të cilët kam punuar dhe bashkëpunuar. Një ëndërr e vërtetë është realizuar! Faleminderit!!”, ka shkruar Lipa në “Instagram” pak pasi mori çmimin.
Lipa la pas këngët “Northern Soul” nga Above & Beyond dhe Richard Bedford, “Ultimatum” nga Disclosure dhe Fatoumata Diawara, “Losing It” nga Fisher dhe “Ghost Voices” nga Virtual Self.
Dua Lipa ka qenë femra e dytë më e dëgjuar e vitit 2018 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe e para në Mbretërinë e Bashkuar.
Albumi që mban emrin e saj e që kryesohet nga hitet “New Rules” dhe “IDGAF” ka qenë albumi i katërt më i dëgjuar në Spotify në SHBA në vitin e kaluar.