Dua Lipa ia kërkon presidentes së KE-së liberalizimin e vizave për Kosovën

11 nëntor 2021 | 11:57

Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula Von der Layen është takuar me këngëtaren e njohur shqiptare, Dua Lipa në Këshillin e Atlantikut.

Presidentja e KE-së ka ndarë edhe një fotografi nga takimi me yllin e muzikës botërore, teksa ka shkruar se është e lumtur që e takoi atë.

Dua Lipa është nderuar nga Këshilli i Atlantikut me çmimin për udhëheqësi të dalluar artistike. Ndërsa, ylli i muzikës aty i ka kërkuar presidentes së KE-së liberalizimin e vizave për Kosovën.

Lipa ka thënë se pasi Kosova ka mbushur të gjitha kriteret dhe Komisioni Evropian ka rekomanduar liberalizimin e vizave për më shumë se tre vjet më parë, “a nuk është koha të arrihet tani?”.

“Të rinjtë luftojnë për të gjetur punë dhe mundësitë e tyre pengohen nga kufizimet që e bëjnë të vështirë udhëtimin për punë ose kënaqësi. Pasi kemi përmbushur të gjitha kriteret, Komisioni Evropian në fakt ka rekomanduar liberalizimin e vizave për Kosovën për më shumë se tre vjet më parë. Pra, a mendoni se ne mund ta arrijmë atë tani?”.

“Kosova është edhe shteti më i ri në Evropë në një mënyrë tjetër. Janë vetëm 13 vjet të shkurtra në rrugëtimin tonë të pavarësisë. Dhe si pjesë e një komuniteti të fortë ndërkombëtar, ne do të lulëzojmë emocionalisht. Ne do të lulëzojmë ekonomikisht dhe kulturalisht. Është në gjenet tona. A nuk do të ishte e përshtatshme nëse Kosova mund të zinte vendin e saj brenda atij bashkimi paqësor, të lulëzonte ekonomikisht përkrah fqinjëve tanë dhe të shëronte lëndimin e konfliktit të fundit?”, ka thënë ajo.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-ministrja për dialog, Edita Tahiri, ka komentuar vizitën e presidentes…