Dua Lipa, krenaria jonë kombëtare dhe ylli i shquar i muzikës botërore!
Fatmir KRASNIQI, mësimdhënës i pensionuar
Ka më shumë se dy javë që jam duke qëndruar në Varshavë të Polonisë, te vajza Tringa, dhëndri Driloni dhe mbesa ime e dashur dhe shumë e shtrenjtë Piana arbëreshe.
Dhe, derisa po shëtisja rrugëve e shesheve të gjëra e të bukura të Varshavës, më bën shumë përshtypje parqet e mëdha e hapësirat gjelbëruese, pastërtia e qetësia, si dhe gjallëria e të rinjve që ishin në nivelin më të kënaqëshëm e më të duhur!
Pasi e vizitova qytetin e vjetër e të lashtë të Varshavës, dëshmi e hershme e civilizimit polak, kalova në pjesën moderne e urbane të kryeqytetit, dhe për befasinë time u ndala para një reklame ku shihej Dua Lipa.
Atë reklamë, por edhe shumë reklama të tjera në rrugët e sheshet e Varshavës e zbukuronte edhe më shumë dhe i jepte shkëlqim me atë pamje e bukuri engjëllore Dua Lipa!
Një përjetim i rrallë, i papërshkruar e i papërjetuar ndonjëherë.
Ç’ndjenjë kënaqësie e krenarie!
Reklamat me Dua Lipën ishin edhe paralajmërim për një koncert të madh në muajin korrik në Gdansk.
Dua Lipa me zërin e saj magjik, dhunti e rrallë, qëndrimin artistik e afërsinë me adhuruesit pushtoi e rrëmbeu zemrat e të gjithëve duke prekur majat më të larta e duke shkelur e dridhur skenat e koncerteve kudo në botë!
Dua Lipa është shembull i rrallë i një këngëtareje e artisteje botërore që me mburrje e krenari dhe me shumë admirim flet për origjinën e identitetin e saj kombëtar shqiptar.
Dua Lipa është ambasadorja jonë më e mirë shqiptare e kulturës dhe e vlerave universale!
Dua me shembullin, thjeshtësinë e madhështinë, si dhe ndjenjen e krenarisë kombëtare po i nxitë e motivon edhe shumë artistë të tjerë, si këngëtarë, aktorë, shkencëtarë e sportistë të tjerë të shquar botëror të gjurmojnë e zbulojnë rrënjet e origjinën e tyre shqiptare!
Të lumtë Dua Lipa!
Pra, Dua Lipa në këtë verë do të këndojë në Gdansk të Polonisë!
E, dihet se populli polakë dhe Polonia kanë përjetuar tmerret e Luftës së Dytë Botërore dhe holokaustin.
Një tmerr të tillë, luftë, vrasje, gjenocid, dëbim masiv e holokaust përjetuam edhe ne shqiptarët e Kosovës në vitet 1998-1999, nga regjimi i egër e barbar i Millosheviqit!
Gjatë kohës së luftës Polonia ka pranuar, 1040 refugjatë nga Kosova.
Sot, Polonia po e mbështet fuqishëm Kosovën!
Dua Lipës i uroj shëndet dhe paraqitje dinjitoze e të suksesshme në Poloni!