Dua Lipa në Shqipëri, Edi Rama pas takimit me të: Çfarë çike!
Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa është duke qëndruar në Tiranë.
Në kuadër të kësaj vizite, Dua Lipa është takuar të premten me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
Pas takimit, kryeministri Rama ka lavdëruar punën e Dua Lipës, duke e uruar atë që të mbretërojë edhe 100 vjet në “fronin ku është ulur”.
“Dua Lipa që ka kapur qiellin e botës muzikore s’ka nevojë për asnjë koment, ndërsa një koment për Duan që pata kënaqësinë të njoh, unë dua ta ndaj me ju.
Uroj që ajo të rrojë e të mbretërojë 100 vjet në fronin ku është ulur, po brenda meje mbeti gjurma e vajzës së mençur, të edukuar e modeste si të ishte askushi, e cila është me siguri krenaria e lumturia e prindërve dhe e krejt familjes së saj, pikërisht sepse çka i takon botës nga ylli i muzikës, nuk ka prekur asnjë fije atë çka u takon atyre nga vajza e tyre. Çfarë çike”, ka shkruar Rama në llogarinë e vet në “Facebook”.