Duam fitore në dy finalet dhe të përfundojmë të parët në grup
Berat Gjimshiti është një nga futbollistët më në formë në Kombëtaren e Shqipërisë, pasi prej dy sezonesh luan në nivele të larta tek Atalanta, ndërsa edhe te kuqezinjtë është tashmë një titullar i padiskutueshëm.
Mbrojtësi ishte në një konferencë për shtyp nga ambientet e grumbullimit të Kombëtares Shqiptare, ku bashkëbisedoi me SuperSport dhe konfirmoi besimin për arritjen e fitores në dy ndeshjet e fundit të Ligës së Kombeve.
Sa besoni te arritja e vendit të parë në grup?
Gjimshiti: Ne besojmë maksimalisht që mund t’ia dalim të fitojmë këto ndeshje dhe të marrim vendin e parë në grup. Kemi shumë lojtarë të mirë në grup, si ata me përvojë, por edhe të rinjtë si Çepele që ka ardhur së fundi.
Sa të rëndësishme kanë qenë dy sezonet e fundit me Atalantën?
Gjimshiti: Më kanë ndihmuar shumë dhe kjo shihet në fushë, por për një futbollist është shumë e rëndësishme që të luash sa më shumë. Nëse luan rregullisht, atëherë ke mundësi të korrigjosh gabimet dhe të përmirësohesh. Ka qenë e rëndësishme edhe fakti që kemi pasur gjithmonë të njëjtin trajner dhe kemi punuar shumë me të, por edhe të luajturit të Ligën e Kampionëve të jep një përvojë të jashtëzakonshme.
Si e vlerësoni Ligën e Kombeve si garë?
Gjimshiti: Ne e marrim shumë seriozisht, pasi ka raste që kjo garë shërben si një rrugë për të shkuar në Evropian apo Botëror, ndaj i bëjmë vlerësimin maksimal.
Si i ke parë sulmuesit në seancat e fundit stërvitore?
Gjimshiti: Janë në një formë shumë të mirë dhe i kam parë shumë të karikuar edhe në seancat stërvitore. Besoj që do të arrijnë të shënojnë në dy ndeshjet e radhës dhe të na ndihmojnë të fitojmë.
Çfarë gabimi nuk duhet të bëjmë ndaj kundërshtarëve të radhës?
Gjimshiti: Nuk duhet t’i nënvlerësojmë aspak, pasi të dy kundërshtarët dalin shumë shpejt në kundërsulm dhe duhet t’i mbajmë tërë kohës në vëmendje. Gjithsesi kemi eksperiencën e duhur për t’ia dalë me sukses.