“Duam ndryshim dhe e duam tani”, thirrja e ambientalistëve të rinj në Ditën Botërore të Mjedisit
Zyra e UNICEF-it në Kosovë, në bashkëpunim me Ambasadën e Suedisë në Kosovë dhe partnerin implementues “Pen”, ka shënuar Ditën Botërore të Mjedisit, ku të pranishëm 100 ambientalistë të rinj bën thirrje për veprim të menjëhershëm nga vendimmarrësit dhe akterët tjerë në mbrojtje të mjedisit.
Të pranishëm në ngjarje ishin edhe ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama dhe ushtruesi i detyrës së Udhëheqësit të Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Benjamin Fisher.
Shënimi i Ditës Botërore të Mjedisit u pasua nga një ekspozitë e heshtur e organizuar nga 100 të rinj, duke nxjerrë në pah çështje urgjente, si ndotja e ajrit, shpyllëzimi, mbeturinat, përmbytjet dhe valët e të nxehtit.
Secili instalacion në ekspozitë barte një mesazh prekës, duke kërkuar veprime të menjëhershme në mbrojtje të planetit tonë.
Ekspozita ishte një paraqitje në realitet e shprehjes “një fotografi sa një mijë fjalë,” pasi që vuri në pah shqetësimin e të rinjve për gjendjen aktuale të mjedisit.
Për më tepër, mundësoi edhe një platformë fuqizuese për të rinjtë që t’i ndajnë përvojat e tyre personale për ndotjen e ajrit dhe çështjet tjera mjedisore.
Të rinjtë u bën thirrje bashkëmoshatarëve të tyre, shoqërisë kosovare, institucioneve lokale dhe kombëtare që të ndërmarrin veprime të menjëhershme që së bashku t’i zvogëlojnë emetimet e gazeve serrë. “Çdo individ sot lë gjurmë në emetimet e dioksidit të karbonit dhe secili nga ne duhet t’i ndryshojë shprehitë në mënyrë që ta ruajmë planetin tonë”, ka theksuar Bardha, përfaqësuese e Rrjetit të Ambientalistëve të Rinj, duke kërkuar më shumë hapësirë që zëri i tyre të dëgjohet dhe të merret parasysh.
Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, ka pohuar se gjatë punës për Organizatën e Kombeve të Bashkuara në Darfur në vitin 2007 ka parë me sytë e tij se si shpyllëzimi ka nxitur konfliktin në Sudan.
“Ta mbrojmë planetin duke i ruajtur pyjet dhe burimet ujore në Kosovë”, është shprehur Westerlund.
Ushtruesi i detyrës së udhëheqësit të Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Benjamin Fisher, përsëriti edhe një herë rëndësinë e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve për mjedis të pastër, të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm.
“Duhet t’i dëgjojmë zërat e të rinjve dhe të veprojmë në lidhje me shqetësimet e tyre. Ata jo vetëm që e trashëgojnë këtë planet, por janë edhe partnerët tanë në ndryshim”, ka thënë ai.
Dita Botërore e Mjedisit inkurajon vetëdijesim dhe veprim për mbrojtje të mjedisit, mbështetur nga OJQ-të, bizneset dhe qeveritë. Ngjarja e këtij viti në Kosovë pohoi edhe njëherë rolin kritik që e kanë të rinjtë për të avokuar për një të ardhme të qëndrueshme. Kjo ngjarja theksoi nevojën urgjente për veprim të menjëhershëm kundër ndryshimit klimatik.