Dubai, një megaqendër tregtare e frymëzuar nga natyra (Foto)
Dubai është i famshëm për qendrat gjigante tregtare, por tani kërkon të krijojë një të tillë, e cila të jetë e gjallë e të marrë frymë.
Si mund të ndodhë kjo? Përmes një kopshti botanik, i cili do të jetë në zemër të kompleksit me sipërfaqe gati 20 mijë metra katrorë.
“Cityland Mall”, me vlerë 400 milionë dollarë, konsiderohet si destinacioni i parë i blerjeve në botë që frymëzohet nga natyra.
Parku do të ketë përrenj dhe ishuj, pemë të rralla e kopshte me lule. Bizneset që do të rrethojnë hapësirën e gjelbër do të kenë edhe një shtresë të dytë pemësh e kopshtesh në çatitë e tyre.
“Gjelbërimi do të shtrihet në një gjithë kompleksin”, ka thënë Fahimuddin Sharfuddin, drejtor ekzekutiv i “Cityland Group”, raporton “TCh”.
Njerëzit, sipas tij do të kenë mundësi të shohin dyqanet, e ndërkohë edhe të shëtisin në mesin e atyre që i përshkruan si “mure të gjelbra të gjalla”.
Qendra e rrallë tregtare do të jetë shtëpi e më shumë se 300 bizneseve, restoranteve e ambienteve të argëtimit. Konkurrenca, sipas analistëve të tregut, nuk ka për të qenë e vogël, megjithatë “Cityland” mund të avantazhohet nga fakti që do të ngrihet pranë lagjesh të reja në zhvillim.