Dubai, ‘parajsa’ e krimit shqiptar, kush janë “bosët” e fshehur në Emiratet Arabe?
Autoritet shqiptare vijojnë të jenë të pafuqishme përballë bosëve të krimit. SPAK organizoi operacionin më të madh ndaj krimit të organizuar, por ata që njihen si bosët shkuan në Dubai.
Qyteti në Emiratet Arabe është kthyer në një parajsë për ta, pasi jetojnë në luks dhe nga aty drejtojnë trafiqet. Por a do të marrë fund kjo parajsë?
Sinjalet janë dhënë ditët e fundit me arrestimin e Durim Bamit. Ky i fundit u shpall në kërkim në kuadër të operacionit të SPAK, teksa emri i tij del në shumë atentate. Durim Bami njihet dhe për lidhjet e forta me politikën. Por a do të mundësohet ekstradimi i tij? Pengesa më e madhe përsa i përket ekstradimit është mungesa e një traktati dypalësh ekstradimi mes Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe. Ka shumë emra të njohur të arrestuar atje, që më pas janë liruar.
Padyshim emri më i përfolur është Eldi Dizdari, i njohur ndryshe edhe si Denis Matoshi. Mediat e huaja kanë shkruar pa fund për të. Ai ishte një nga të arrestuarit si pjesë e kartelit të kokainës që u godit nga Europol gjatë operacionit “Los Blancos”, 17 shtatorin e vitit 2020.
Policia e Dubait dha detaje për arrestimin e tij, si person i përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës midis Amerikës së Jugut dhe Europës. Ai u arrestua për llogari të autoriteteve italiane, por nuk u arrit të ekstradohet.
Emër tjetër është Plaurent Dervishaj. Ai ishte në kërkim për vrasjen e biznesmenit Vajdin Lamajt dhe Klodian Saliut në vitin 2005, dhe u arrestua në Dubai më 11 dhjetor të vitit 2020. Ashtu si Durim Bami, edhe në këtë rast policia njoftoi arrestimin e tij, por ai është ende atje.
Më 27 mars, u arrestua Florenc Çapja. Prokuroria e Elbasanit e kishte shpallur në kërkim Florenc Çapjan, pasditen e datës 16 mars 2021. Por pak orë para se të firmosej urdhër-arresti, Çapja ishte larguar nga Shqipëria. Ai kishte fluturuar fillimisht drejt Stambollit, në orët e para të mëngjesit e më pas në Dubai. Florenc Çapja qëndroi vetëm një muaj në paraburgim, duke u liruar kundrejt garancisë pasurore prej 55 mijë eurosh.
Emër tjetër është Mikael Qosja. Ai u arrestua në dhjetorin e vitit 2021, por u lirua nga autoritetet arabe. Qosja akuzohet nga Prokuroria e Elbasanit si pjesëmarrës në vrasjen e trefishtë, të datës 29 dhjetor 2019, ku mbetën të vdekur Enea Alibej, Albert Dylgjeri dhe shtetasi turk, Erdal Duranaj.
Në Dubai ka gjetur strehim edhe Dritan Shkëmbi. Edhe ai u arrestua, pasi akuzohet si i përfshirë në atentatin e ndodhur më 1 nëntor të vitit 2019 te mbikalimi i Shkozetit, ku mbetën të plagosur, ish-prokurori Arjan Ndoja, miku i tij Aleksandër Laho dhe humbi jetën shoferi, Andi Maloku. Por nuk pati asnjë ekstradim.
Në Dubai u strehua edhe Ramazan Rraja, i cili vendosi që të kthehej vetë në vendin tonë. Ai ishte shpallur në kërkim për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja. Rraja kishte pak ditë që ishte kthyer nga Dubai, kur u prangos nga policia.
Të njëjtën rrugë si ai ndoqi edhe avokati Alban Bengasi. Edhe ai fillimisht u fsheh në Dubai pastaj erdhi në Shqipëri. Ai akuzohet se ka porositur Nuredin Dumanin dhe Elio Bitrin për të dhunuar ish-bashkëshorten e tij. Aktualisht rezulton i dënuar nga gjykata.
I vetmi i ekstraduar është Franc Çopja, por ai u ekstradua për llogari të autoriteteve belge. Më 30 dhjetor të vitit 2023 ai është ekstraduar drejt Belgjikës, ku është i akuzuar për vrasje. Çopja njihet si lideri i një klani që konsiderohet përgjegjës për të paktën nëntë vrasje.
Në Dubai ishte fshehur edhe Roan Brahimi, i cili u vra në një atentat në Greqi pak kohë më parë. Ai po hetohej për përfshirje në atentatin ndaj Brilant Martinajt. Pas ngjarjes ishte arratisur në Dubai, por nga atje udhëtoi në Greqi ku dhe u ekzekutua.
Endrit Dokle, është një tjetër emër i botës së krimit, që është regjistruar duke udhëtuar në drejtim të Emirateve të Bashkuara Arabe. Ish-i dënuari me burgim të përjetshëm si drejtues i njërit prej fraksioneve të bandës së Durrësit, i liruar me kusht, është marrë në pyetje të paktën në dy raste përgjatë 6 mujorit të vitit 2022, për masakrën e Fushë Krujës dhe për zhdukjen pa gjurmë të Ervis Martinajt. Tani u shpall në kërkim nga SPAK në kuadër të operacionit të fundit.
Këta janë emra që dihen, por ka shumë të tjerë që nuk dihen. Vetë SPAK e ka pranuar se nuk i ekstradon dot. “Mungesa e ekstradimit të eksponentëve të krimit nga Emiratet e Bashkuara Arabe ka vënë në vështirësi hetimet. Nuk kemi as edhe një të ekstraduar nga Emiratet e Bashkuara Arabe”, deklaronte Altin Dumani. /Pamfleti