DUBRAVA, KY ANKTH I PAHARRUESHËM

21 maj 2018 | 11:38

Sadik Zeqiri

Arkivi i kujtesës sime, i paraluftës dhe i gjatëluftës, është shumë i pasur. S’më vjen aspak mirë ta quaj kështu, kur brenda tij kam kujtime shumë të këqija e që më lidhen me jetëvdekjen time dhe të shokëve të mi, në ditët tona më të këqija, ato të burgimit në Burgun e Dubravës në veqanti nga 19-24 maji i vitit 1999. Sa herë vjen maji më vjen edhe ditëlindja ime. Sivjet, në rrethana të tjera, ndryshe nga koha e luftës, festova 45 vjetorin e lindjes, tani në Kosovën e lirë. Meqë doja të ndaja një pjesë të jetës sime me juve, e shkrova këtë shënim të shkurtër për ditët e mia dhe të bashkëvuajtësve tjerë të kaluara në Burgun e Dubravës, në kohën që jua përmenda pak më parë, me qëllim që ta publikoja sot në gazetën “Epoka e re”.

Para fillimit të bombardimeve të NATO-s u mblodhën nga të gjitha burgjet e Serbisë të burgosurit shqiptarë dhe u vendosën në Burgun e Dubravës. Ishim rreth 1 000 të burgosur të vendosur në katër pavijone, në C1, C2, B2 dhe në Pavijonin e Pranimit, në kushte shumë të rënda. Në B2 ishte edhe Ukshin Hoti, i cili, çuditërisht, ishte liruar më 16 maj, ditën e diel. Po në të njëjtën ditë ishin liruar edhe dy të burgosur të tjerë. Për fatin e Ukshin Hotit nuk dihet ende asgjë, kurse trupat e të dy të liruarve në të njëjtën kohë me bacë Ukshinin po atë ditë janë gjetur në varrezat e rrethinës së Pejës.

Nëse më lejoni të bëj një shmangie, jua kujtoj se me norma ndërkombëtare asnjë i burgosur nuk lirohet në ditët e fundjavës. Megjithatë, ky rregull nuk ka ekzistuar për regjimin serb, i cili i kishte bërë me përpikëri llogaritë, duke qenë i sigurt se NATO-ja do t’i bombardojë edhe objektet e burgut, meqë NATO-ja kishte informata paraprake se Burgu i Dubravës ishte kthyer në bazë ushtarake dhe pritej që avionët e saj ta bombardonin burgun, pa qenë në dijeni urdhërdhënësit ndërkombëtarë, se aty, qëllimisht, nga politika e Beogradit në Beograd e Beogradit në Kosovë, janë mbledhur një mijë shqiptarë nga të gjitha burgjet e Serbisë, për t’u bërë shkrumb e hi nga granatimet e avionëve. Dhe, ashtu sikurse ishte dhënë lajmi, ashtu nisi dhe u bë: “paramilitarët” kishin liruar burgjet dhe po u bënin vend të burgosurve shqiptarë.

Në Burgun e Dubravës edhe kohë më përpara, por edhe gjatë vitit 1998 kishte të burgosur politikë dhe ordinerë, por me fillimin e luftës, nga muaji qershor, të gjithë të burgosurit i kishin larguar nga aty për në burgjet e Serbisë. Destinacion ishte Burgu i Nishit, i Pozharevacit, CZ i Beogradit, i Sremit, i Leskovcit, i Vranjes etj., ndërsa një numër i të burgosurve ishte edhe në burgun e Pejës, të Gjilanit, të Prishtinës, të Prizrenit, të Mitrovicës etj.

Më 19 maj 1999, ditë mërkurë, kah gjysma e ditës, aeroplanët e NATO-s bombarduan objektet e Burgut të Dubravës. Fillimisht granatuan drejtorinë e burgut si dhe Pavijonin C1, i cili ishte përplot me të burgosur shqiptarë. Pas hedhjes së bombave të para nga avionët e NATO-s, gardianët ikën. Mbetën të mbyllur, në pavijonet C1 dhe B2, të burgosurit shqiptarë. Vetëm të burgosurit në pavijonin C2 kishin një tretman më të veçantë nga ne sepse aty kishte të burgosur kryesisht ordinerë. Ky pavijon pothuaj gjatë gjithë ditës i kishte dyert e hapura.

Unë dhe të burgosurit e tjerë që përjetuam krimin në pavijonin C1 filluam t’u kërkojmë ndihmë të burgosurve të tjerë që të na hapnin dyert, sepse kishim frikë se do të digjeshim dhe vriteshim të gjithë brenda, pas shembjes së objektit të burgut i cili ishte qarë. Kështu që, me atë pak forcë që kishim dhe atë panik të madh, filluam t’i thyejmë dyert e qelive. Po në mes të pavijonit C1 bombat e NATO-s veç kishin vrarë katër të burgosur dhe 19 tjerë plagosur. Të burgosurit ordinerë nga C2-shi u organizuan t’i hapnin dyert e dhomave me forcë, me kazma dhe me mjete të tjera. Duke nxjerrë kështu nga gërmadhat të plagosurit dhe të vdekurit, fillimisht në pavijonin C1, pastaj në B2.

Kur dolëm në oborr u nisëm drejt daljes kryesore të burgut, duke menduar se tashmë gardianët dhe personeli i burgut kishte ikur. Pasi kemi dalë në oborr, aty në mes të kuzhinës dhe shkollës, ka hyrë prapë personeli i burgut brenda dhe na ka detyruar të futemi nëpër pavijone dhe objekte të cilat nuk ishin të dëmtuara.

Dita e enjte, e datës 20 maj 1999, ishte e qetë. Nuk dëgjoheshin zhurma të avionëve, as hedhje dhe krisje të bombave, as kërcënime të gardianëve. Por, nuk e dinim nëse do ta plaknim ditën!
Dita e premte, e datës 21 maj, ishte ditë lufte. Rreth orës 10:00 të mëngjesit filluan bombardimet e NATO-s në caqet brenda Burgut të Dubravës. U goditën pothuajse të gjitha objektet përbrenda saj, rrjeti elektrik, ujësjellësi, u vranë 19 të burgosur dhe 32 të tjerë u plagosën.

Në natën e 21 dhe 22 majit ne të burgosurit qëndruam jashtë objekteve, në fushën e sportit, pasi mendonim se aty ishte vendi më i sigurt. Morëm me vete batanije dhe gjëra të tjera për t’u mbuluar dhe bëmë gjumë në qiell të hapur.

Më 22 maj, të ditës së shtunë, rreth orës 6:00 të mëngjesit, nga pikat e vrojtimit, të cilat ishin afër me fushën e sportit, na u kërkua nëpërmjet megafonit të zgjohemi dhe të bëhemi rresht. Thoshin se Drejtoria e Burgut ka vendosur të na transferojë në burgjet e tjera sepse nuk ka kushte më në Dubravë. Sapo jemi rreshtuar kanë filluar gjuajtjet nga pikat vrojtuese, me lloje të ndryshme të armëve. Të njëjtit paramilitarë gjuanin granata dore në drejtimin tonë.

Na shpërthenin pranë, na vrisnin, na gjymtonin, na plagosnin. Pothuajse të gjithë që kanë qenë në rreshtin e parë janë vrarë. Të burgosurit kanë filluar të ikin, por të gjejnë shpëtim e strehim brenda rrethojës së burgut, në një pjesë më poshtë ngrehinës. Gjatë këtij sulmi nga gardianët dhe të tjerët mbetën të vdekur rreth 80 të burgosur dhe mbi 200 të tjerë u plagosën. Këtë ditë pothuajse gjithë kohës është gjuajtur nga të gjitha pikat e vrojtimit dhe të burgosurit detyroheshin të fshiheshin kudo që u jepej mundësia.

Natën e 22 dhe 23 majit të burgosurit e bënë nëpër pavijone të shkatërruara si dhe në hapësirën e bodrumit të kuzhinës, por kishte të burgosur që ishin futur edhe në puseta, nga dy e tre në një vend, vetëm të shpëtonin.

Në mëngjesin e datës 23 maj 1999 në hapësirat e burgut kishin ardhur shumë paramilitarë dhe të burgosur serbë, të gjithë të armatosur. Filluan t’i hapnin pusetat dhe t’i vritnin të gjithë ata që ishin fshehur në to. Po ashtu, filluan të gjuanin në objektin e kuzhinës ku ishin të strehuar mbi 500 të burgosur dhe lanë të vdekur disa.

Pasi kishin arritur qëllimin për vrasjen e shumë të burgosurve nëpër puseta dhe kudo që i gjenin jashtë, me megafon kërkuan të dalim jashtë dhe të dorëzoheshim. Dhe, kështu vepruam. Dolëm jashtë të gjithë, me duart pas koke dhe u bëmë rresht për dy. Aty para nesh ishte drejtori i burgut dhe disa gardianë, si dhe disa të tjerë të maskuar. Na thanë të shkojmë rresht për dy dhe të futemi në sallën e sportit, pasi ai ishte objekti i vetëm ende i padëmtuar. Ne menduam më të keqen që do të na ndodhte, filluam të përshëndetemi në mes vete.

Kur hymë në sallën e sportit, drejtori i burgut u tha disa të burgosurve të tjerë t’i thërrasin të gjithë të burgosurit të cilët ishin të fshehur në objektet e tjera, si dhe t’i sjellin edhe të plagosurit të gjithë në sallë. Ashtu ndodhi. Më pas na u komunikua vendimi që kishte marrë Ministria e Drejtësisë e Serbisë për transferimin tonë në Burgun e Lipjanit sepse, sipas saj, këtu më nuk kishte siguri dhe kushte, por që transferimi do të ndodhte më 24 maj 1999, për arsye se nuk kishte autobus të mjaftueshëm për transferim të menjëhershëm.

Pasi dolën gardianët nga hapësirat e burgut dhe na lanë neve tash brenda hapësirave të burgut, të burgosurit filluan t’i identifikojnë të vrarët dhe t’ua shkruajnë emrat dhe ato copa letra t’ua fusin në xhepa të rrobave, sa për identifikim.

Më 24 maj 1999 ndodhi ajo që na u premtua, të gjithë të burgosurve na transferuan në Burgun e Lipjanit. Pas 17 ditësh qëndrimi në këtë burg, pikërisht më 10 qershor 1999 ishte nënshkruar marrëveshja e kapitullimit të Serbisë në Kumanovë. Neve të Burgut të Lipjanit, si dhe të gjithë të burgosurit e tjerë të cilët ishin në burgun e Pejës, të Gjilanit, të Prizrenit, të Mitrovicës, të Prishtinës, na transferojnë në Burgun e Nishit, të Leskovcit, të Sremit, për Beogradit, për Pozharevacit, për Vranjës si pengje të luftës.

Gjatë ditëve 19-24 maj të vitit 1999 në këtë masakër janë vrarë rreth 150 të burgosur shqiptarë si dhe janë plagosur mbi 300 të tjerë.

(Autori ka mbijetuar në masakrën e serbëve bërë në Burgun e Dubravës)

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pajisur me pasaportë diplomatike…