Ducati zyrtarizon Millerin edhe për vitin 2022
25 maj 2021
| 13:46
Përmes një komunikimi në rrjetet sociale, marka italiane e motorëve, Ducati, ka zyrtarizuar pilotin australian Jack Miller edhe për vitin 2022 në MotoGP.
Ducati kryeson sezonin 2021 të MotoGP, me dy fitore në dy garat e fundit, të dyja të arritura me Miller. Kjo paraqitje e mirë e australianit duket se ka bindur motorin italian t’i rinovojë edhe me një vit kontratën. Miller, aktualisht ndodhet në vendin e katërt në renditjen e pilotëve, me 64 pikë, 16 pikë më pak se Quartararo që kryeson botërorin.
“Jam i lumtur që do të vijoj aventurën time me Ducati edhe vitin tjetër. Shpresoj që këto dy fitore të më afrojnë me titullin që unë dhe Ducati e ëndërrojmë”, ka thënë Miller. Ai është piloti i parë “big” që rinovon kontratën për sezonin tjetër.