Duda Balje: Demokracia nuk mund dhe nuk do të shkelet nga askush
Kandidatja për deputete nga Kuvendi i Kosovës, Duda Balje, nga ana e Listës së Bashkimit Socialdemokrat, ka bërë një reagim pas vendimit të Gjykatës Supreme për refuzimin e ankesës së kandidates tjetër për deputete, Ardijana Hoxhiq.
Kjo e fundit i është drejtuar Gjykatës Supreme për të kundërshtuar një vendim të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa që ia anuloi mbi 4.200 vota, që i kishte siguruar në komunat e banuara me shumicë serbe.
Vendimi i Supremes i lëshon rrugë që deputete në vend të Adrijana Hoxhiqit të bëhet Duda Balje.
Balje ka thënë të premten se tani e tutje, kushdo që garon për ulëset e rezervuara në Kuvendin e Kosovës, e ka të qartë që nuk mund të luajë me vullnetin e askujt.
Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” ajo ka thënë se i vjen keq që disa njerëz janë “terrorizuar në këto zgjedhje” dhe se askush nuk mund të shkelë dinjitetin e asnjë komuniteti me vota të një komuniteti tjetër.
“Verdikti i organeve të drejtësisë së shtetit të Kosovës tregoi se demokracia nuk mund dhe nuk do lejohet të shkelet nga askush. Arrestimet për keqpërdorimet në procesin zgjedhor janë sinjal i qartë që s’ka lojë me shtetin ligjor”, ka deklaruar ajo.