Duda Balje: Kosova është lidere në respektimin e të drejtave të njeriut

08 korrik 2019 | 16:53

Anëtarët e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, ka pritur të hënën në takim homologët nga Kuvendi i Maqedonisë Veriore, për të diskutuar çështjet aktuale të të drejtave të njeriut, të barazisë gjinore, të drejtat e bashkësive nacionale, si dhe këmbimin e praktikave më të mira nga fushat e lartpërmendura.

Kryetarja e këtij komisioni, Duda Balje dhe zëvendëskryetarja, Lirije Kajtazi, kanë shprehur mirënjohje për bashkëpunimin e arritur në mes të këtyre dy komisioneve, duke sugjeruar që ky bashkëpunim i mirëfilltë të vazhdojë edhe më tutje.

Gjatë këtij takimi, anëtarët e komisionit kanë shpalosur të arriturat e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, duke i dhënë theks të veçantë punimeve të fundit lidhur me të drejtat e njeriut dhe peticioneve që marrin nga qytetarët.

Andaj, lidhur me këtë çështje para delegacionit të Maqedonisë Veriore, ata kanë parashtruar disa pyetje që fokus kishin shërbimet që ofrohen për personat që përjetojnë dhunë në familje dhe trajtimin e peticioneve që vijnë direkt nga qytetarët.

Edhe anëtarët e delegacionit nga Kuvendi i Maqedonisë Veriore, duke shprehur qëndrime mjaft pozitive për bashkëpunimin e arritur deri më tash mes këtyre dy komisioneve, kanë folur për të arriturat dhe planet e komisionit të tyre.

Ata kanë theksuar se marrin model nga praktikat e mira që Kosova aplikon lidhur me të drejtat e njeriut dhe kanë treguar se kanë gjetur zgjidhje pozitive, duke miratuar ligje për personat që përjetojnë dhunë në familje dhe ligje për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.

Për praktikat që Kosova është duke ndjekur në këtë fushë, kryetarja e komisionit, Duda Balje, ka thënë se Republika e Kosovës është lidere në respektimin e të drejtave të njeriut.

Ndërsa, kryetari i Komisionit për të drejtat e njeriut në Republikën e Maqedonisë, Fadil Zendeli, ka folur për politikat e krijuara nga komisioni me të cilin ai udhëheq, duke përmendur kështu vizitat që realizojnë si komision, kauzat që ata ngrisin dhe debatet publike që mbajnë me qytetarët.

Anëtarët e komisioneve kanë vazhduar diskutimin e tyre, duke lënë të hapur mundësinë për tu takuar sërish dhe për të shkëmbyer përvojat e tyre rreth të drejtave të njeriut.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Ramiz Lladrovci Ka disa ditë, disa medie pa asnjë…