“Dugi”, afër Dukagjinit

08 qershor 2018 | 13:48

Dugagjin Gashi është afër marrëveshjes me Dukagjinin e Klinës. Mesfushori është larguar pas shtatë vjetësh nga Drenica dhe synimi i tij është të luajë në ndonjërën prej klubeve afër vendlindjes.

Dugagjin Gashi është një prej lojtarëve më të mirë në futbollin e Kosovës që nga paslufta, kurse pas shtatë vjetësh është larguar nga skuadra e Drenicës. Gashi të enjten për “Epokën e re” ka treguar edhe arsyen e largimit nga skuadra kuqezi, por ka bërë me dije se asnjëherë nuk do ta harrojë këtë skuadër. “Nga Drenica jam larguar vetëm për shkak të largësisë. Gjatë shtatë vjetëve kam udhëtuar çdo ditë, por jam krenar me këtë, sepse kanë qenë vite të mrekullueshme. Falënderoj nga zemra të gjithë Drenicën dhe i dëshiroj shumë suksese, pasi është një klub fantastik dhe asnjeri nuk do ta harrojë kohën e kaluar në të”, ka thënë Gashi.

Më pas mesfushori ka thënë se e ardhmja e tij nuk do të jetë në Besën e Pejës, pasi askush nga ky klub nuk e ka kontaktuar. “Nuk kam asnjë marrëveshje me Besën e Pejës dhe mund ta konfirmoj se askush nuk më ka kontaktuar nga kjo skuadër”, ka shtuar Gashi. Ish-futbollisti i Feronikelit ka treguar se synimi i tij është ta vazhdojë karrierën në njërën prej skuadrave nga Rrafshi i Dukagjinit, kurse me njërën prej tyre është shumë afër marrëveshjes. “Tash për tash jam lojtar i lirë, por besoj se shumë shpejt do të vendos për të ardhmen. Dëshira ime është të luajë për njërën prej skuadrave në Rrafsh të Dukagjinit për arsye që të jam më afër shtëpisë. Kam kontakte me Dukagjinin e Klinës dhe me gjasë do të jam pjesë e kësaj skuadre për faktin se ka një projekt serioz për të hyrë në Superligë”, ka deklaruar Gashi.

Ish-reprezentuesi i Kosovës, përveç Feronikelit dhe Drenicës, ka luajtur edhe për Istogun, Vëllaznimin dhe Besën e Pejës.

/Veton ZYMBERI/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri,…