‘Dugi’, mes Dukagjinit dhe Besës

01 korrik 2019 | 21:30

Mesfushori Dugagjin Gashi është lojtar i lirë, por ofertat në adresë të tij nuk janë të pakta. E ardhmja pritet të zyrtarizohet brenda javës, kurse favorite për shërbimet e tij mbesin Besa e Pejës dhe Dukagjini i Klinës.

Dugagjin Gashi është një nga mesfushorët me përvojën më të madhe në futbollin e Kosovës, kurse aktualisht është lojtar i lirë. “Dugi” edicionin e fundit mbrojti me sukses ngjyrat e Dukagjinit dhe ishte ndër lojtarët më meritor për inkuadrimin e skuadrës nga Klina në Superligë.

I kontaktuar nga gazeta “Epoka e re”, Gashi ka konfirmuar se është në bisedime me disa skuadra, por e ardhmja e tij do të bëhet zyrtare në ditët e para të muajit korrik. “Ofertat nuk më mungojnë. Kontrata me Dukagjinin më ka përfunduar dhe tash jam lojtar i lirë, por brenda javës do ta bëj publike emrin e skuadrës së re”, ka thënë Gashi, i cili ka zbuluar se Besa e Pejës e ka kontaktuar deri tash, kurse me skuadrën e Dukagjinit ende nuk ka biseduar.

“Mund të zbuloj se ende nuk kam biseduar me drejtuesit e Dukagjinit dhe gjasat janë që të mbetem pjesë e kësaj skuadre. Më kanë kontaktuar disa skuadra. Edhe Besa. Klubi i qytetit tim është i interesuar që unë të rikthehem dhe normalisht se është një opsion shumë i mirë”, ka shtuar Gashi, i cili ka arritur shumë suksese me klubin pejan. Mesfushori Dugagjin Gashi ka një histori interesante si futbollist, pasi vetëm dy vjet ka luajtur në Ligën e Parë, kurse pjesën tjetër të karrierës e ka kaluar nëpër skuadra të Superligës. Mirëpo Gashi në kohën kur ka luajtur në Ligën e Parë ka arritur suksese të jashtëzakonshme, pasi i ka rikthyer në elitë fillimisht Feronikelin dhe në edicionin e fundit Dukagjinin. “Kam luajtur për shumë klube në Superligë dhe Ligën e Parë. Në këtë të fundit dy herë arrita suksese të jashtëzakonshme, duke inkuadruar skuadrat në rangun më të lartë të futbollit. Pavarësisht pjesë e cilës skuadër apo ligë jam, gjithmonë angazhohem maksimalisht për t’i arritur objektivat me skuadrat ku luaj”, ka shtuar ai.

Mesfushori Dukagjin Gashi pjesën më të madhe e ka kaluar në Besën e Pejës, kurse ka djersitur edhe fanellën e Vëllaznimit, Istogut, Drenicës, Feronikelit dhe Dukagjinit të Klinës.

/Veton ZYMBERI/

 

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka thënë se për dy…