Dugolli: Ajet Istogu, Hamëz Hajra dhe Lutfi Ajazi kanë qenë UDB-ashët që më kanë keqtrajtuar dhe torturuar
Enver Dugolli, ish i burgosuri politik ka rrëfyer momentin e tij më të trishtë pas arrestimit të tij, ku thotë se “nga torturat e mëdha që ushtroheshin mbi trupin tim, jam lutur që të më bie të fikët, por nuk më ra. Organizmi ishte i fortë, karshi torturave”. Ai tha se Ajet Istogu, Hamëz Hajra dhe Lutfi Ajazi [më pak torturues] kanë qenë UDB-ashët që e keqtrajtuan dhe torturuan atë gjatë periudhës pas arrestimit të tij.
Enver Dugolli, ish i burgosur politik, u shpreh se Ajet Istogu ka qenë UDB-ashi kryesor i arrestimit të tij.
Ai shtoi se përballja e parë me dhunën fizike dhe brutale ka qenë dy ditë pas arrestimit të tij me 4 prill të vitit 1981 në Stacionin Policor në Glogovc [Drenas].
“UDB-ashi kryesor ka qenë nga Gllogovci [Drenasi i sotit]. Ajet Istogu i cili ka qenë arsimtar… ai tentonte të kryente detyrën e vet për linçim, torture, shantazh dhe gjithçka”, deklaroi Dugolli.
Ai në “Debat Plus” të Televizionit Dukagjini tha se Ajet Istogu si UDB-ash kishte tentuar të bënte presione nga më të ndryshmet edhe tek familja e tij vetëm e vetëm për të thyer “shpirtërisht” atë.
Dugolli tha se UDB-shi Ajet Istogu si presion e kishte përdorur ofrimin e një vendi të punës si një lloj “bashkëpunimin” me Naser Dugollin [vëllain e Enverit].
“Edhe vëllau i madh, Naseri përfundon shkollën e mesme për Feronikelin. E thërret disa here, i thotë nuk ka punë për ty, në realitet duhet të bashkëpunosh”.
Istogu: Zgjedh ku po don.
Vëllai: o Ajet Istogu unë do ti hajë edhe gjunjtë e mi, e nuk bëhna argat i joti.”, deklaroi Dugolli.
Madje Dugolli përmendi edhe largimin e babait të tij nga puna pas 38 vitesh si revoltë e UDB-ashve ndaj tij.
“Shpirt shitur kanë qenë UDB-ashët, shqiptarë që flisnin shqip” vijoi Dugolli.
Sa i përket tortures fizike, Dugolli theksoi se ajo ka qenë “rrahje klasike me pendrek dhe stubc” dhe gjithmonë Ajet Istogu e ka pasur edhe një ndihmës, që nuk e prezantonte por që edhe ai ishte shqiptar. Dhe se kur “lodheshin fizikisht” UDB-ashët, dhunë ushtronin policia serbe [milict me uniformë].
Ai kujton se gjatë qëndrimit të tij në Stacionin Policor në Drenas, një polic shqiptar, i komunikacionit, Tahir Shala e kishte maltretuar, torturuar dhe përdhosur një burrë të moshuar ku i kishte thënë se “le që më rrahu, por ma hjeku plisin dhe ma hudhi në tokë. Ma shajti edhe plisin. Nuk ia fali”.
Kujtimi më i trishtë pas arrestimit nga torturat ç’njerëzore të bëra nga UDB-ashët shqiptarë ka qenë “momenti kur është lutur për të i rënë të fikët e që nuk i ka rënë” por që sipas tij organizmi i tij ishte “i fortë” dhe e përballonte pavarësisht lutjeve të tij.
Përpos Ajet Istogut, UDB-ashë kanë qenë edhe Hamëz Hajra dhe Lutfi Ajazi [ky më pak i keq], të cilët “kënaqëshin me vuajtjet që i shkaktonin” shqiptarëve të tjerë.
“UDB-ja thjeshtë donin të thyenin “një shpirt rezistent”.
“Momenti kur jam lutur që të më bie të fikët dhe nuk më ra. Organizmi ka qenë i forte dhe nuk më ra të fikët. Jam lutur. Shumë. Rrahjet klasike me pendrek dhe stupc. Ka qenë Hamëz Hajra, Lutfi Ajazi[ më pak]. Faza fillestare e hetimeve ka qenë më e tmerrshme. Ata kënaqëshin me vuajtje.. Donin të thyenin një shpirt rezistente”, vijoi ai.
Dugolli tha se qëllimi kryesor i UDB-shëve ka qenë “thyerja e tyre” dhe “dërmimi i tyre”.
Kanë dashtë me na pa të dërmuar, të thyer por shpirti luftarak e ëndrrat e ideali ynë ka qenë edhe kur dalim të rinjve e të rejave mos të paraqesim një shëmti e një njeriu të thyer, se ka pësuar. Porosia e tyre ka qenë që edhe kur dilnu që qysh nuk duhet me qenë dhe qysh nuk duhet me iu ndjek tjerët”, deklaroi Dugolli.