Dugolli: Askush nuk mund t’ua prej rrugën studentëve
Dje, përmes një akademie perkujtimore dhe filmit dokumentar kushtuar rektorit Ejup Statovci, dhe sot përmes homazheve dhe marshimit të studentëve të Universitetit të Prishtinës, nën organizimin e Parlamentit Studentor, u shënua 25 vjetori i demonstratave studentore të 1 tetorit 1997.
“Kjo ngjarje e shënuar e historisë sonë më të re, i bëri bashkë studentët, profesorët, dhe qytetarët e Kosovës që pa u lëkundur, shënuan kthesën e madhe të rrjedhës së ngjarjeve politike të Kosovës, deri te çlirimi i saj e për të cilën shumë studentë e profesorë dhanë edhe jetën”, ka thënë Bujar Dugolli, ish-lider i Lëvizjes Studentore të ‘97-s.
Ai ka thënë se pas gjithë këtyre viteve, sot, brezi i ri i studentëve të prirë nga Parlamenti Studentor, marshuan rrugës së njëjtë, për të kujtuar me respekt secilin student, kujtuan profesorët e prirë nga rektori historik Ejup Statovci, por edhe qytetarët që atë ditë kishin mbushur rrugët që shpinin drejtë universitetit tonë.
“Okupatori serb na e kishte ndaluar universitetin me qëllim prerjen e rrugës së dijes së të rinjve tanë.
Askush nuk mund t’ia prej rrugën e studentëve, ata janë, siç edhe ishin shpresa dhe e ardhmja e Kosovës. I përjetshëm qoftë kujtimi për të rënët për liri”, ka thënë Dugolli.