Dugolli kërkon dorëheqjen e Klinakut, kjo është arsyeja
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, ka reaguar pas deklaratave të ushtruesit të detyrës së kryetarit të OVLUÇK-së, Faton Klinaku, i cili ka thënë se “më parë e vret kryeministrin Albin Kurti sesa të ikë nga Kosova”.
Dugolli ka thënë se pas kësaj deklarate, Klinaku duhet të dorëhiqet nga detyra.
“Pas asaj deklarate skandaloze dhe të rrezikshme e pakta që do duhej të ndodhte është dorëheqja e Faton Klinakut nga pozita e sekretarit dhe U.D. i kryetarit të OVL-së dhe kërkim falja si akt moral. Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk bën të heshtin por urgjentisht të kërkojnë largimin e tij nga ai post duke u shprehur se nuk pajtohen me logjikën e vrasjes si metodë e largimit nga pushteti të Kryeministrit të Kosovës”, ka shkruar Dugolli në “Facebook”.
Po ashtu, ka kërkuar që të shtohen masat e sigurisë për kryeministrin Albin Kurti.
“Albin Kurtin shumë herë e kanë kërcënuar (madje gjatë luftës në burgjet serbe e kanë torturuar deri në prag të vdekjes) por nuk kanë arritur asnjëherë ta frikësojnë. Megjithatë niveli i sigurisë për kryeministrin Kurti duhet ngritur e Prokuroria të aktivizohet”, ka shtuar Dugolli.