Dugolli: Nuk do të ndërpritet aktiviteti i FSK-së
Më 7 tetor, komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari, i kishte dërguar një letër ministrit të Mbrojtjes Ejup Maqedoncit, se nëse nuk gjendet ndonjë zgjidhje për çështjen e furnizimit ushqimit të ushtarëve, Forca e Sigurisë do t’i ndërpres aktivitetet.
Lidhur me këtë, në një konferencë për media ka folur deputeti i LV-së njëherësh anëtari i Komisionit për Siguri, Enver Dugolli.
Ai ka thënë se nuk do të ketë ndërprerje të aktiviteteve të ushtrisë së Kosovës.
“Qeveria është e përkushtuar që t’i mbështesë dhe t’i forcojë kapacitetet mbrojtëse. Prandaj i gjithë i yni si mazhorancë për këto vite nuk kemi llafe, por kemi punë. Për këtë dëshmojmë me fakte”, ka thënë Dugolli gjatë konferencës për medie.
Sot me fillim nga ora 12:00, Kuvendi i Kosovës do të mbajë një seancë të jashtëzakonshme ku do të diskutohet rreth problemit për furnizimin me ushqim të ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Kjo seancë është thirrur nga AAK-ja, ndërsa LV-ja ka njoftuar se nuk do të jetë pjesë e saj.