Dugolli përfshihen në debatin rreth ‘Projektit të historisë së përbashkët’

06 tetor 2020 | 13:57

Profesori i historisë, Bujar Dugolli është përfshirë në debatin që është duke u zhvilluar ditëve të fundit rreth “Projektit të Historisë së Përbashkët” i hartuar nga “Qendra për demokraci dhe pajtim në Evropën Juglindore” (CDRSEE).

Ai ka thënë se në vitin 2017, i ishte drejtuar ish-ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, me një shkresë për t’i analizuar dhe për të dhënë vlerësimin kritik dhe profesional, lidhur me pjesën e parë dhe të dytë të vëllimit mësimdhënia e historisë bashkëkohore të Evropës Juglindore.

“Edhe pse koha ishte e limituar për të bërë një vlerësim të detajuar, në bashkëpunim me asistentët Durim Abdullahu dhe Mrika Limani, kemi shqyrtuar vëllimet në fjalë dhe me kohë kemi bërë reagimin lidhur me këtë projekt. Ne kemi evidentuar mangësi dhe shtrembërime të fakteve historike në këtë projekt, por për habinë tonë vërejtjet dhe kritikat tona, nuk u morën parasysh dhe për më tepër, vëllimet tjera as që na u sollën për vlerësim dhe analizim”, ka shkruar Dugolli në llogarinë e vet në “Facebook”.

Postimi i plotë i Dugollit:

Ditëve të fundit është aktualizuar një debat lidhur me tekstin e “Projektit të Historisë së Përbashkët” i hartuar nga “Qendra për demokraci dhe pajtim në Evropën Juglindore” (CDRSEE).

Në mars të vitit 2017, ish-ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, më është drejtuar me një shkresë për t’i analizuar dhe për të dhënë vlerësimin kritik dhe profesional, lidhur me pjesën e parë dhe të dytë të Vëllimit Mësimdhënia e historisë bashkëkohore të Evropës Juglindore.

Edhe pse koha ishte e limituar për të bërë një vlerësim të detajuar, në bashkëpunim me asistentët Durim Abdullahu dhe Mrika Limani, kemi shqyrtuar vëllimet në fjalë dhe me kohë kemi bërë reagimin lidhur me këtë projekt.

Ne kemi evidentuar mangësi dhe shtrembërime të fakteve historike në këtë projekt, por për habinë tonë vërejtjet dhe kritikat tona, nuk u morën parasysh dhe për më tepër, vëllimet tjera as që na u sollën për vlerësim dhe analizim.

Më poshtë, gjeni shkresën dhe raportin e shqyrtimit të vëllimeve, që i kam dërguar Ministrit Arsim Bajrami, më datë 27 mars 2017:

I nderuar Ministër Bajrami,

Në përgjigje të kërkesës suaj për të shqyrtuar dhe për të dhënë një vlerësim profesional për librin në dy vëllime: Mësimdhënia e historisë bashkëkohore të Evropës juglindore, libër burimor për profesorët e historisë, Lufta e Ftohtë (1944-1990), Pjesa I, dhe Mësimdhënia e historisë bashkëkohore të Evropës Juglindore, libër burimor për profesorët e historisë, “Luftëra Ndarje Integrim (1990-2008)” Pjesa II , të botuara në vitin 2016.
Pas shqyrtimit të detajuar lidhur me historinë e shqiptarëve, me theks të posaçëm në historinë e Kosovës, më lejoni t’ju paraqes një raport me të gjeturat dhe opinionin tim lidhur me librat në fjalë.

Me respekt
Bujar Dugolli

RAPORT
Prishtinë: 27/03/2017
Source Books for History Teachers: volume 1, 2016
“The Cold War (1944-1990)”
Teaching Contemporary Southeast European History
Mësimdhënia e historisë bashkëkohore të Evropës juglindore – Libër burimor për profesorët e historisë, Lufta e Ftohte (1944-1990) Pjesa 1, 2016
Prevalenca e përpjekjeve të fundit në zhvillim për të rindërtuar historinë, duke pozicionuar me kujdes burimet historiografike brenda kontekstit të veçantë të diskurseve historike, është bërë normë në mesin e vendeve post-komuniste.

Derisa një rindërtim shkencor historiografik, pa paragjykime njohëse brenda kufijve të mundësisë është gjithmonë i mirëpritur në mesin e historianëve, libri i botuar kohët e fundit për profesorët e historisë nga ana e Qendrës për Demokraci dhe Pajtim në Evropën Juglindore – Lufta e Ftohtë (1944-1990): Mësimdhënia e historisë bashkëkohore evropiane 2016, megjithëse pa dëshirë, ka dëshmuar, se sa e vështirë është për të marrë dhe pastaj të mbajë një qëndrim objektiv, kur diskutohen tema të caktuara historike. Për më tepër, libri në vetvete ka dëshmuar, se edhe studiuesit ndërkombëtarë nuk qëndrojnë imun ndaj këtyre paragjykimeve njohëse.

Edhe pse e përshëndesim stilin renegat, që karakterizon librin, – që supozojmë, se pa dyshim në mënyrë drastike do të rrisë interesin e studentëve në temat historike – ne do të marrim në shqyrtim çështje dhe tema të caktuara historike, që kanë të bëjnë me Kosovën dhe shqiptarët të paraqitura në këtë libër. Në këtë aspekt, do të jetë gjë e pakujdesshme nga ne të mos përmendim mungesën e dukshme të traktateve historiografike shqiptare, të cilat besojmë, se në masë të madhe kanë për qëllim objektivitetin e librit.

Për më tepër, neglizhenca e burimeve të publikuara shqiptare në këtë botim (me përjashtim të librit të At Zef Pllumi Rr’no Për me tregue dhe vëllimet e Stefanaq Pollos Historia e Shqipërisë), jep hapësirë për supozim, se historiografia e njohur sllave, turke dhe greke kanë qenë të ndara për të plotësuar mbi tema, që normalisht do të mbulohen nga historiografia shqiptare. Si e tillë, besojmë, që kjo është një qasje disi joprofesionale dhe e prirur për paragjykime.

E konsiderojmë si çështje freskuese, se tema e emigracionit turk dhe shqiptar nga Republika Popullore e Maqedonisë gjatë viteve ’50 të shekullit të kaluar ka qenë e prekur (f. 202), sidoqoftë mendojmë, se emigracioni i detyruar i shqiptarëve nga Jugosllavia është minimizuar, duke përfshirë vështirësitë ekonomike, politike dhe sociale, të cilat ishin shoqëruese të këtyre emigrimeve të popullsisë shqiptare në ish-Jugosllavi.

Nga ana tjetër, e konsiderojmë të sforcuar theksimin e faktit, që aktiviteti i Riza Danit është përmendur në libër si një kontribut për aktivitet anti-komunist pas luftës (f. 44). Në një mënyrë të ngjashme, e konsiderojmë jashtëzakonisht të rëndësishme për të ligjëruar në lidhje me persekutimin e katolikëve në Shqipëri gjatë regjimit të Enver Hoxhës, historia e të cilëve meriton një vend në histori (f. 48), si dhe persekutimi i Sejfulla Malëshovës, i cili ishte i pari, që propozoi një plan ekonomik, që do të kombinonte sektorin privat dhe atë publik (f. 106).

E konsiderojmë inkurajuese, që libri përmendi edhe demonstratat e Kosovës të vitit 1968, dhe se më tej, e lidh atë ngjarje me ngritjen e statusit të Kosovës brenda Jugosllavisë (f. 127). Në lidhje me përmendjen e demonstratave të vitit 1981 në Kosovë, besojmë, se autorët mund të kishin dhënë më shumë kontekst të rrethanave nga të cilat rinia dhe populli i Kosovës u ngrit në demonstrata. Sidoqoftë, e konsiderojmë të një rëndësie të veçantë faktin, që autorët kanë nënvizuar propagandën dhe fjalorin e shtetit, të autoriteteve dhe medieve të sponsorizuara për studentët, gjë që ka rritur pakënaqësinë e studentëve me trajtimin, që i është bërë demonstratave (f. 254-255).

Më tej, e konsiderojmë shqetësues, faktin që Drazha Mihailoviq është përmendur gjithashtu edhe në kapitullin me titull Represion nen regjimin komunist në Jugosllavi (f. 45). Druhemi, se kjo është një linjë me përpjekjet e fundit revizioniste në historiografinë serbe për të rehabilituar Drazha Mihailoviqin si një figurë historike.

Source Books for History Teachers: volume 2
“Wars Divisions Integration (1990-2008)”
Teaching Contemporary Southeast European History

Mësimdhënia e historisë bashkëkohore të Evropës Juglindore – Libër burimor për profesorët e historisë, “Luftëra Ndarje Integrim (1990-2008)” Pjesa 2, 2016
Tematikisht, ky libër është një përmbledhje burimesh historike mbi luftërat në Jugosllavi gjatë viteve ‘90-të të shekullit të kaluar dhe krijimin e shteteve të pavarura në Ballkan pas shpërbërjes së Jugosllavisë. Kjo mund të parakuptohet nga nëntitulli: “Wars Divisions Integration (1990-2008)”; Pra “Luftëra, ndarje, integrim (1990-2008)”. Vitet 1990 dhe 2008 duket të jenë menduar nga autorët si vitet, kur fillojnë luftërat në Jugosllavi dhe viti kur Kosova shpallet republikë, gjegjësisht në vitin 2008 pavarësinë.

Megjithëse pretendon të jetë një libër burimesh historike për mësuesit e historisë (Source Books for History Teachers), ky libër është një përmbledhje kryesisht e burimeve dytësore dhe tretësore historike: ai përgjithësisht lë jashtë burimet arkivore si burime parësore dhe kryesisht përbëhet nga artikuj gazetash, raporte organizatash ndërkombëtare dhe komunikata për media. Për më tepër, edhe këto burime historike duket të jenë të përzgjedhura me shumë kujdes, në varësi të një parakoncepti, që autorët duket që kanë pasur dhe që kanë synuar të krijojnë tek lexuesi për historinë e periudhës në fjalë.

Qartësisht, ky libër burimesh është përpiluar në atë mënyrë që lexuesit dhe ata që shërbehen me të, të njihen me “versionet e të dyja palëve” për historinë. Pra, që historia e luftës mes Kroacisë dhe Serbisë, të njihet si nga perceptimi serb, ashtu dhe nga ai kroat; lufta në Bosnjë dhe Hercegovinë, të njihet si përmes versionit boshnjak, njëjtë edhe prej atij serb; lufta në Kosovë të njihet si nga pikëpamja shqiptare, ashtu edhe nga pikëpamja serbe.

Në asnjë vend, nuk ofrohet ndonjë burim, i cili tregon, që presidenti i Serbisë mes viteve 1989-2000, Slobodan Milosheviq ishte një diktator dhe ndër përgjegjësit kryesorë për luftërat në ish-Jugosllavi (shih: f.16: I-6). Burimet e kapitullit të parë “Collapse and Construction 1990-1992” nuk ofrojnë asnjë burim për shtypjen politike të shqiptarëve: vrasjet, burgosjet, përndjekjet politike dhe kolapsin ekonomik.
Në hyrjen e kapitullit të dytë, “The Disintegration of Yugoslavia”, luftërat në Jugosllavi cilësohen si “konflikte të kombinuara kulturore, religjioze dhe ndëretnike, por para së gjithash ishin luftëra për kufij të ri të Jugosllavisë”. (f. 40). Pra, nuk përmendet askund fakti, që motori kryesor i luftërave në Jugosllavi ishin planet nacionaliste hegjemone për një Serbi të madhe dhe pabarazia politike, ekonomike dhe sociale ndër popujt e Jugosllavisë.

Për më tepër, këto luftëra degradohen, duke u quajtur konflikte. Autorët kanë përdorur kryesisht burime serbe, aq sa edhe një fotografi e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugovës, që ilustron një paragraf për të, është e një fotografi serb, Denis Sarkiq. Autorët e kanë ngatërruar vitin e daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me vitin e themelimit të saj, duke shkruar, që “UÇK-ja ishte krijuar në nëntor të vitit 1997” (f. 67), çka shpërfaq lidhjet e dobëta të tekstit me burimet shqiptare. Kjo konfirmohet edhe me tej, kur merret në konsideratë, që ky libër është edituar nga historiania greke Christina Koulouri dhe ai slloven Božo Repe, dhe nuk specifikohet, nëse është përfshirë ndonjë albanolog. Edhe në rastet, kur janë shfrytëzuar fondet e Arkivit të Kosovës, sërish kemi të bëjmë me fonde gazetash, kryesisht të gazetës “Koha Ditore”.

Në fund të çdo nënkapitulli, janë përpiluar disa detyra në të cilat kryesisht kërkohet, që lexuesi të gjejë dallimet mes pikëvështrimeve të të dyja palëve, që kanë qenë të përfshira në luftë. Por burimet e përzgjedhura nuk i ofrojnë pamje të mjaftueshme lexuesit, që të arrijë në mënyrë të pavarur te një version i tretë, si një version më i afërt me historinë e vërtetë. Aq më tepër, që kjo metodë, që konsiston në ofrimin e dy pikëpamjeve (zakonisht diametralisht të kundërta) për të njëjtat histori, si përpjekje për të qenë neutral, e përjashton gati plotësisht kritikën historike nga teksti, duke përfunduar në një tekst-libër, që projekton një histori, e cila nuk është historiografi si produkt shkencor, por më shumë një përpjekje për balancim përmes përballjeve të pikëpamjeve të të dyja palëve.

Kjo më së miri mund të vërehet, kur flitet për historinë e masakrës së Reçakut, në tekst i cilësuar neutralisht, thjesht si rast. Autorët duket sikur qëllimisht sjellin burime, që e rrëfejnë si shumë konfuze historinë e Reçakut. Madje, që në krye lexuesi drejtohet në atë mënyrë që të mos jetë i sigurt për çfarë ka ndodhur, kur thuhet, që të tria raportet e forenzikës janë kontraverse mes tyre. (f. 69). Kjo qasje shkon dhe një hap më tutje, kur te pjesa‘Detyrat’ shtrohet në mënyrë sugjestive pyetja: Përse raporti i ekspertëve forenzikë të Bashkimit Europian, nuk mund të zgjidhë polemikat? (f. 71).

Tutje, teksa flitet për bombardimet e NATO-s mbi Jugosllavi, përmenden vetëm viktimat serbe dhe jo të tjerat. Ndërkohë, që shkruhet, se 200.000 serbë dhe të tjerë joshqiptarë, u larguan nga Kosova, shifër kjo burimi i të cilës nuk tregohet. Gjithashtu, i tërë teksti është i përqendruar tërësisht mbi historinë politike, ndërsa nuk sjell asgjë për historinë ekonomike, kulturore dhe sociale të këtyre vendeve gjatë viteve 1990-2008.

Gjithashtu, këto burime janë kryesisht burime, që merren me efektet politike të luftërave dhe fare pak me viktimat, dhunimet, shkatërrimet dhe kompensimet e luftërave. Si i tillë, ai duket më shumë si një ftesë për sheshimet e kujtesës së popujve të Ballkanit, çka e kundërshton vetë nervin e njohjes së historisë.
Përfundimisht, këto dy tekste-libra janë një përmbledhje selektive e disa burimeve sporadike dhe fragmentare historike, të marra qëllimisht dhe përgjatë gjithë përmbajtjes së tij nga palët më kundërshtare. Si duket, vetë tendenca e autorëve ka qenë, që duke ofruar versione shumë të kundërta për të njëjtat histori, lexuesi ta ketë të pamundur të krijojë pikëpamje realiste mbi historinë e Ballkanit të kësaj periudhe.

Për aq sa historia është interpretim, imponimi i zgjedhjes së rrugës së tretë, nuk është tjetër veçse përfaqësim i një arbitrariteti të ri, ku njëanshmëria zëvendësohet me një ambivalencë dhe agnosticizëm të tepruar, që sfidon njohuritë, por edhe mundësitë për të njohur.

Libri: Mësimdhënia e historisë bashkëkohore te Evropës juglindore – Libër burimor për profesorët e historisë, Pjesa I, “Lufta e Ftohte (1944-1990)” dhe Pjesa II “Luftëra Ndarje Integrim (1990-2008)”, të botuara në vitin 2016, nuk janë një botim kritik burimesh historike, por një përmbledhje selektive burimesh tretësore dhe anësore të historisë, që synon të imponojë një pikëpamje të ngatërruar dhe konfuze mbi historinë.
Pikërisht për këto arsye, ky libër nuk mund të shërbejë si referencë, aq më pak si referim për t’u mësuar historinë gjeneratave të reja.
Si përfundim, në gjykimin tonë, ne rekomandojmë, që ky libër me dy vëllime të mos merret për bazë si tekst burimesh historike për mësimdhënësit e historisë, për njohjen e historisë së Ballkanit mes viteve 1944-1990 dhe 1990-2008.
Ju faleminderit,

Me respekt,
Prof. Asoc. Dr. Bujar Dugolli

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Myrteza Çaushi, ish kreu i bandës së Vlorës në vitin…