
Dugolli: Pse po tjetërsohet prona e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”?
Shkruan: Bujar Dugolli
Pse po tjetërsohet prona e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”?
Kur u themelua Universiteti i Prishtinës me ligj nga Kuvendi i Kosovës, më 18 nëntor të vitit 1969, autoritetet qendrore dhe lokale të Prishtinës, me vendimin nr. 011-5075 të vitit 1975, përcaktuan kampusin dhe hapësirën urbane ku do të ndërtoheshin fakultetet dhe institucionet e tjera që do të shërbenin për arsimin e lartë dhe për Universitetin e Prishtinës. Kështu, Universiteti i Prishtinës u bë pronar i hapësirës publike sipas vendimeve krahinore, të cilat u inkorporuan edhe në planin rregullativ urban të vitit 1975.
Në vitet ’90, gjatë masave të dhunshme të Republikës së Serbisë, prona e Universitetit filloi të uzurpohej pa pëlqimin e institucionit. Në atë kohë, Komuna e Prishtinës mori në mënyrë të paligjshme 7 hektarë nga prona e UP-së dhe lejoi ndërtimin e një objekti fetar serb brenda hapësirës universitare, në kundërshtim me planin rregullativ dhe ligjin, si dhe pa pëlqimin e Universitetit.
Në kohën e rektorit Ejup Statovci, më 5 janar 1993, Universiteti i Prishtinës paditi organet e dhunshme dhe Kishën Ortodokse Serbe për cenimin e hapësirës universitare. Megjithatë, kjo çështje nuk pati epilog, pasi gjyqësori asokohe ishte i kontrolluar nga okupatori serb.
Duhet kujtuar se, pas suprimimit të autonomisë së Kosovës, më 23 mars të vitit 1989, autoritetet serbe zbatuan masa të dhunshme në të gjitha institucionet e Kosovës. Përmes rregulloreve dhe ligjeve diskriminuese të Serbisë, ata ndërhynë dhe ndryshuan në mënyrë të njëanshme të drejtat e institucioneve të Kosovës mbi pronat e tyre, përfshirë Universitetin e Prishtinës.
Për autoritetet e Serbisë, ky universitet shihej si një qendër e nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar. Si pasojë, Universiteti i Prishtinës u mbyll dhe prona e tij u mor në mënyrë të paligjshme nga regjimi serb.
Alternativa Kosovare, e cila vepronte në Kosovë gjatë fillimviteve ’90, deklaroi hapur se nuk do t’i pranonte dhe nuk do t’i njihte, as në të ardhmen, vendimet e autoriteteve të dhunshme serbe në Kosovë.
Edhe misioni ndërkombëtar i OKB-së, i vendosur në Kosovë nga qershori i vitit 1999, miratoi një rregullore sipas së cilës nuk njiheshin vendimet apo ligjet diskriminuese që autoritetet serbe kishin zbatuar ndaj Kosovës pas marrjes së autonomisë së saj në mars të vitit 1989.
Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008, institucionet qendrore dhe lokale të Republikës së Kosovës nuk u morën me këtë problematikë. Përkundrazi, ato vazhduan avazin e vjetër, duke i pranuar si fakte të kryera vendimet e autoriteteve të dhunshme serbe mbi Kosovën dhe pronën e saj gjatë viteve 1989-1999.
Shkatërrimi, tjetërsimi dhe uzurpimi i hapësirës dhe pronës së Universitetit të Prishtinës vazhdoi, madje duke u legjitimuar edhe nga organet e pushtetit qendror, lokal dhe gjyqësor.
Nuk do ta kisha besuar kurrë që, pas lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, Komuna e Prishtinës do të sillej në këtë mënyrë ndaj kampusit universitar, duke legjitimuar vendimet e masave të dhunshme serbe për tjetërsimin e pronës së Universitetit të Prishtinës.
Shkatërrimi i kampusit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” po vazhdon nga Komuna e Prishtinës për ndërtime me qëllime komerciale, pa marrë parasysh nevojat e institucioneve publike si Universiteti, Biblioteka Kombëtare dhe Radio Televizioni i Kosovës.
Dikur, rektori i Universitetit dhe studentët burgoseshin nga regjimi serb sepse mbronin Universitetin dhe pronën e tij.
Ndërsa sot, për interesa komerciale private, shkatërrohet prona publike, ndërsa reagimet mungojnë!
Për habi, nuk kemi asnjë reagim publik për këtë marrje dhe degradim të pronës e hapësirës universitare, as nga menaxhmenti i UP-së dhe as nga studentët!
Pse? …
#StopTjetersimitTëPronës
#TëMbrohetUniversiteti
#TëMbrohetPronaPublike