Dugolli: Universiteti i Prishtinës, njëri ndër hapat më të mëdhenj të formimit të Kosovës
Sot Universiteti i Prishtinës shënon 49-vjetorin e themelimit.
Me këtë rast, dekani i Fakultetit Filozofik në Universitetin e Prishtinës, Bujar Dugolli, ka theksuar se themelimi i Universitet të Prishtinës, pos si një ngjarje historike, shënohet si njëri ndër hapat më të mëdhenj të formimit të Kosovës.
“Ky universitet, shpejt u kthye në vatrën e përgatitjes së brezave të rinj, që u shkolluan dhe u emancipuan sikur të gjithë të rinjtë e tjerë në boten e qytetëruar. Kësisoj, këta të rinj e të reja, morën përsipër barrën e Kosovës, marrë parasysh se e gjithë plejada akademike e shkencore e Kosovës ka dalë nga ky universitet. Hapja e universitetit, ishte në linjë me një avancim të gjithëmbarshëm të shoqërisë shqiptare në Kosovë, por ishte mjaft e vonuar dhe me shumë pengesa. Kujtojmë sot, sikur përherë, lëvizjet e studentëve, që bashkë me profesorët e tyre, të përkrahur nga populli i Kosovës, kërkuan avancimin e gjendjes së përgjithshme shoqërore e politike të Kosovës. Nga këtu kuptohet edhe një herë se, ky universitet është ndoshta më i veçanti në botë, pasi që është universiteti që ka bërë shtetin”, ka shkruar Dugolli në llogarinë e vet në “Facebook”.
Dekani Dugolli ka thënë se sot duhet kujtuar të gjithë studentët dhe profesorët, që bënë sakrifica, deri në flijim për Kosovën, pasi ata u rreshtuan si të parët edhe në luftën për çlirimin e Kosovës.
“Sot kujtojmë studentët e mjekësisë, që u benë mjekë nga ky universitet, që shëruan plagët e luftës, por edhe luftuan për Kosovën. Sot kujtomë edhe inxhinieret, ekonomistët, juristët, sportistët, artistët, albanologët, pedagogët dhe historianët të cilët treguan drejt historinë e dhimbshme dhe krenare të Kosovës. Universiteti ynë, pavarësisht sfidave që ka, e që nuk do t’i përmendim sot, vazhdon dhe ka për të mbetur universiteti më i mirë në gjithë hapësirën shqiptare. Studentët tanë, sot janë konkurrues me të gjithë bashkëmoshatarët e tyre nëpër botë. Ata janë garantues të së ardhmes tonë, dhe të shtetit të Kosovës. Urime të gjithë studentëve, stafit akademik dhe administrativ të Universitetet të Prishtinës dita e themelimit të universitetit. Zoti e bekoftë Universitetin e Prishtinës! Zoti e bekoftë Kosovën!”, ka shkruar Dugolli.
/Epoka e re/