Dugolli: Ushtria, njëra nga ngjarjet më madhore në historinë e re të Kosovës

14 dhjetor 2018 | 18:28

Ish-lideri i studentëve të Universitetit të Prishtinës, Bujar Dugolli, ka thënë se krijimi i ushtrisë së Kosovës është njërën nga ngjarjet më madhore në historinë e Kosovës

Dugolli në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se nga sot ushtria e Kosovës do ta fillojë misionin e saj historik.

Postimi i plotë i Dugollit:

Të nderuar miq,

Krijimi i ushtrisë së Kosovës, padyshim se paraqet njërën nga ngjarjet më madhore në historinë më të re të Kosovës.
Kjo ditë është kulmimi i përpjekjeve të pareshtura të brezave të tërë, që bënë sakrificat më sublime për vendin e tyre, Kosovën.

Ushtria, sikur në çdo vend të botës, është një institucion politik, i bazuar në monopolin e forcës dhe një pushtet i konsideruar si detyrues, në të cilin disiplina, organizimi, hierarkia e rreptë dhe vlerat kulturore, të ndryshme nga ato të shoqërisë civile, përmblidhen me një emërues të përbashkët, interesin kombëtar, mbi çdo interes tjetër, pikërisht ashtu siç thoshte Mark Twain: “Besnikëri ndaj vendit gjithmonë. Besnikëri ndaj qeverisë, kur e meriton”

Ushtria e Kosovës është institucioni, që do të jetë përherë nderi i saj, sepse ajo nuk ka se si të jetë ndryshe, pasi është trashëgimtare e pashkëputur e Trupave Mbrojtëse të Kosovës, që e ndërtuan vendin e pasluftës dhe frymë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që me luftën e saj të pastër e heroike, çliroi Kosovën nga robëria shekullore sllave.

Kjo ushtri është ndërtuar mbi vlerat dhe normat më të larta të ushtrive perëndimore, pasi ajo është aty, në mesin e tyre, qëllimi i të cilave është ruajtja e paqes, e jetës dhe vlerave të pacenuara njerëzore.

Ushtria e Kosovës do të fillojë misionin e saj historik sot, në Kazermën Adem Jashari, si për të dëshmuar që ushtria, nderi e lavdia e saj nuk do të shkëputen asnjëherë nga Komandanti i saj i parë, sepse heroizmi nuk ndodh gjithmonë në një shpërthim lavdie. Ndonjëherë triumfet e vogla dhe zemrat e mëdha ndryshojnë rrjedhën e historisë.

Të dashur ushtarë të Kosovës, ushtarët amerikanë të Navy SEAL-s, kolegët tuaj, nisin ditën duke thënë: “The only easy day was yesterday.” (në shqip: “Dita e vetme e lehtë ishte e djeshmja”).

Ju e dini, se për ne nuk ishte kështu, por morali juaj, besnikëria ndaj atdheut dhe liria e vendit tuaj, do të jetë përherë motivi, që duhet të keni.

Ju nuk do të jeni asnjëherë hakmarrës ndaj asaj, që na është bërë gjatë historisë, por bashkërisht do të jeni këtu për të pamundësuar, që historia të përsëritet, do të jeni edhe atje, ku vlerat njerëzore mund të cenohen, sepse ju jeni burrat më të mirë dhe gratë më të mira të këtij vendi.

Zoti e bekoftë Kosovën
Zoti e bekoftë Amerikën
Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit!
Urime!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komunës së Prishtinës,  Shpend Ahmeti, në bazë të…