Dugolli vë në dyshim vendimin e presidentes Osmani për rikthimin e Ligjit për Këshillin e Sigurisë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka nxjerrë vendim me të cilin e ka kthyer në Kuvend, Ligjin për Këshillin e Sigurisë së Republikës së Kosovës, i cili është miratuar më 31 tetor 2024.
Lidhur me këtë anëtari i Komisionit për Siguri, Enver Dugolli, ka thënë se do ta shohin shkresën nga presidentja dhe vërejtjet që i ka bërë sa i takon ligjit për Këshillin e Sigurisë.
“Dhe më pastaj do shohim me kujdes se a kanë bazë shqetësimet e ngritura. Po ju flas nga praktika për ligjet që lidhen me aspektin e mbrojtjes dhe sigurisë, gati në të gjitha fazat e draftimit dhe përgatitjes së tyre gjithmonë janë ftuar përfaqësues nga zyra e Presidentes të cilët kanë dhënë edhe opinionet e tyre dhe gati çdo herë janë inkorporuar në versionin final. Tani duhet parë gjithashtu edhe kjo çështje se a ka pasur paraprakisht ndonjë vërejtje, sugjerim apo paqartësi nga ana e tyre.”, ka thënë Dugolli për “RTV21”.
Në arsyetimet e publikuara nga Presidenca lidhur me kthimin e këtij ligji thuhet se Presidenca është kthyer për shkak se me përmbajtjen aktuale e rrezikon sigurinë kombëtare dhe është në kundërshtim me Kushtetutën.