‘Duhanpirësit’ e Kosovës mposhtin Austrinë
Futbollistët e Kosovës në futsall dje u akuzuan për pirjen e duhanit publikisht në Aeroportin “Adem Jashari”, kurse sot shënuan fitore bindëse ndaj Austrisë.
Përfaqësuesja e Kosovës në futsall e ka nisur në mënyrë të shkëlqyeshme rrethin e parë kualifikues për “Euro 2022”, i cili po mbahet në Gjeorgji, duke shënuar fitore në përballje me Austrinë, me rezultat 4-2.
“Dardanët” e futsallit e mbizotëruan lojën në të gjitha aspektet, derisa brenda tre minutave realizuan katër gola. Fillimisht realizoi Arbër Dobroshi në minutën e 10-të dhe më pas Dardan Topilla dhe Malush Qerimi dy herë. Pjesa e parë u mbyll me epërsinë e katër golave, por në pjesën e dytë austriakët i konsoliduan radhët dhe arritën që të shënojnë dy gola, nëpërmjet Dizdareviq (26’) dhe Jatiq (35’), por pa arritur ta rrezikojnë fitoren e “dardanëve”.
Ndeshjen e ardhshme në kuadër të Grupit F, Kosova do ta luajë nesër kundër Gjermanisë, derisa në fund do të përballet me Gjeorgjinë.