‘Duhej të të prisja edhe pak’ thotë Ramë Bashota
Poeti nga Kosova, me punë dhe banim në Francë, Ramë Bashota, ka botuar librin e tretë me radhë. Edhe këtë herë, Bashota ka botuar një libër me poezi. Sipas redaktorit dhe botuesit Berat Armagedoni, autori “vjen mes nesh me po atë strukturë strofe, me po atë strukturë vargu, me po ato figura, me po ato tema që ka trajtuar edhe në dy librat pararendës. Ani pse shpreh besnikëri për dy tema kryesore, askund në librin e tij të ri nuk gjejmë rimarrje të vargjeve nga librat e tij të botuar”.
“Ramë Bashota edhe për të tretën herë vjen mes nesh me një libër me poezi. Vjen mes nesh me po atë strukturë strofe, me po atë strukturë vargu, me po ato figura, me po ato tema që ka trajtuar edhe në dy librat pararendës. Ani pse shpreh besnikëri për dy tema kryesore, askund në librin e tij të ri nuk gjejmë rimarrje të vargjeve nga librat e tij të botuar. Është e pashmangshme edhe në këtë libër dashuria për një zonjë, dikur zonjushë, edhe për atdhedashurinë. Këto dy linja, ashtu si te rilindësit kombëtarë, te lirika e Ramë Bashotës lëvizin përbri njëra-tjetrës. Autori për atdhe dhe për dashuri mund ta sakrifikojë veten në çdo kohë. Ai ndien keqardhje që s’ka bërë më shumë për atdheun, gjithashtu ndien keqardhje që s’ka dashuruar më shumë dhe më ndjeshëm. Ku e ku, vend në poezinë e tij zë edhe nëna. Zënë edhe heronjtë. Edhe miqtë. Edhe mikeshat. Duhej të të prisja edhe pak ka edhe poezi të mira që lehtësisht mund të realizohen këngë”, ka shkruar Armagedoni.
Shënime për autorin
Ramë Bashota (1964) është nga Caraviku i Klinës. Ka kryer Shkollën e Lartë Pedagogjike në Gjakovë. Disa vjet ka punuar në arsim. Ka nisur të shkruajë e të botojë poezi që kur ka qenë nxënës në shkollën e mesme. Fati i tij dhe krijimtaria e tij poetike u përballën me luftë dhe me djegie dorëshkrimesh në vitet 1998-1999 në Kosovë.
Autori jeton dhe punon në Francë.
Ky është libri i tij i tretë.