“Duhen 200 mijë trupa kundër Rusisë”, Zelensky ka dyshime për angazhimin e Trump ndaj NATO-s

22 janar 2025 | 01:23

Presidenti i Ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili po kërkon një takim me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, tha se një kontingjent prej të paktën 200 mijë paqeruajtësve evropianë do të nevojiteshin si pjesë e çdo zgjidhjeje për t’i dhënë fund luftës me Rusinë.

Udhëheqësi ukrainas, duke folur në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, Zvicër, një ditë pasi Trump u kthye në pushtet pas muajve premtimesh për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë shpejt, gjithashtu u kërkoi udhëheqësve evropianë të bëjnë më shumë për të mbrojtur kontinentin. Po ashtu Volodymyr Zelenski ka shprehur dyshime për angazhimin e presidentit të ri të SHBA-së, Trump ndaj NATO-s dhe sigurisë evropiane.

“A shqetësohet dikush në Shtetet e Bashkuara se Evropa mund t’i braktisë një ditë – mund të pushojë së qeni aleati i tyre? Përgjigja është jo. Uashingtoni nuk beson se Evropa mund t’u sjellë atyre diçka që është vërtet thelbësore. Evropa duhet të jetë në gjendje të garantojë paqen dhe sigurinë për të gjithë – për veten dhe për të tjerët, për ata në botë që kanë rëndësi për Evropën”.

Zelenski tha se Ukraina po punonte për të krijuar një takim mes tij dhe Trump. Trump, i cili u kthye në detyrë të hënën, ka thënë se do të ndalojë luftën në Ukrainë me shpejtësi, pa thënë se si.

Zelenski tha se Ukraina nuk do të pajtohej me kërkesat ruse që të zvogëlojë në mënyrë drastike përmasat e ushtrisë së saj, duke parashikuar se presidenti rus Vladimir Putin do t’i kërkojë Ukrainës të shkurtojë forcat e saj të armatosura në një të pestën e madhësisë së tyre.

Në fjalimin e tij, Zelenski tha se Evropa duhet ta bëjë veten një lojtar të fortë global, në gjendje të garantojë paqen dhe sigurinë për vete dhe për të tjerët. Ai sugjeroi se Evropa kishte më pak ndikim mbi Uashingtonin sepse Shtetet e Bashkuara e shihnin kontributin e aleatëve të saj për sigurinë si të munguar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në një bisedë me gazetarët, presidenti i Shteteve të Bashkuara…