
Duhen dy për të folur
Në ditët e sotme, nuk është aspak e pazakontë që fëmijët e vegjël të përballen me sfida në zhvillimin e të folurit dhe gjuhës. Sipas të dhënave, rreth një në dhjetë fëmijë nën moshën pesë vjeç përjeton një formë të vështirësisë gjuhësore. Ky fakt nuk duhet të alarmojë, por të shërbejë si nxitje për vëmendje dhe mbështetje të kujdesshme
Dafina Veselaj,
logopede e certifikuar
tel. +377 44 732 921
Në një shoqëri ku shpesh ndihmën e kërkojmë nga specialistët, sot gjithnjë e më shumë theksohet rëndësia e prindërve si mbështetësit më të mëdhenj në zhvillimin e gjuhës së fëmijëve. Qasja moderne sugjeron se roli i prindit është edhe më i rëndësishëm sesa ai i logopedit, kur bëhet fjalë për ndërveprimet e përditshme që ndërtojnë gjuhën. Zhvillimi gjuhësor ndikohet nga një ndërveprim i pandërprerë ndërmjet biologjisë dhe përvojës. Ndërhyrjet në fëmijërinë e hershme, si përkujdesja dhe komunikimi, mund të ndryshojnë rrjedhën e zhvillimit, dhe kjo është fuqia më e madhe që si prindër mbani në duar.
Si mëson të flasë një fëmijë sipas shkencës?
Përvoja ime në Arizona State University me 2018, një nga universitetet më inovatore në SHBA, dhe bashkëpunimi i mëvonshëm me profesor të këtij universiteti ka vendosur një pikëpamje të re profesionale lidhur me rolet dhe funksionet e prindit dhe logopedit në të folurin e fëmijës. Dhe përfundimisht se prindi ka rolin primar në të folurit e fëmijës. Këtë e përforcon edhe artikulli “Nga Neuronet te Lagjet: Shkenca e Zhvillimit të Hershëm të Fëmijërisë nga Shonkoff, JP. dhe Phillips DA. (2000)”. Ky raport thekson se “zhvillimi i fëmijës ndikohet drejtpërdrejt nga përvoja e tij me të rriturit përreth, gjenetika krijon potencialin, por përvoja vendos se si ai potencial zhvillohet. Stresi, pasiguria dhe mungesa e përkujdesjes nuk ndikojnë vetëm në sjellje, ato lënë gjurmë të dukshme edhe në strukturën e trurit të fëmijës. Ndaj, ndërveprimi i ngrohtë dhe i qëndrueshëm me prindin është më shumë se një komunikim, është një themel i fortë për zhvillimin e fëmijës.”
Fëmijët nuk mësojnë të flasin vetëm. Që nga lindja, ata fillojnë të ndërtojnë komunikimin përmes qarjes, gjesteve dhe tek më vonë fjalëve. Pra gjithçka ndodh përmes një partneri (lexo prindi) të cilit ai fëmijë po i transmeton një mesazh, dhe prapa merr ose pret të marrë një përgjigje. Lidhja që ndërtohet me fëmijët është baza e çdo fjale që do të thonë më vonë.
Si mund ta ndihmoni gjuhën e fëmijës suaj të zhvillohet?
Prindërimi nuk është logopedi, as nuk zëvendëson dot një profesionist, mirëpo ju ofroni atë që nuk e mëson asnjë manual për fëmijët si individ unikat: përditshmërinë me fëmijën. Komunikimi nuk fillon kur fëmija thotë “mama” apo “ujë”, por që nga ai moment kur i ktheheni me vështrim kur qan për herë të pare.
Këto janë disa këshilla të thjeshta nga Asociacioni Amerikan i Gjuhës dhe Dëgjimit (ASHA), të cilat konsiderohen jashtëzakonisht efektive për të mbështetur të folurin e fëmijës tuaj:
▪ Shikoni dhe dëgjoni me kujdes fëmijën tuaj. Tregohuni të interesuar për atë që po përpiqet të komunikojë, edhe nëse nuk është e qartë.
▪ Luani në nivelin e fëmijës, në dysheme, në botën e tyre dhe lërini ata të udhëheqin.
▪ Krijoni një mjedis të qetë për komunikim, duke pakësuar zhurmat, fikur televizorin, lënë anash telefonin.
▪ Përdorni gjithmonë emrin e fëmijës kur i flisni, për ta ndihmuar ta kuptojë se po i drejtoheni atij.
▪Bëni fytyrën tuaj interesante kur flisni me fëmijën, pasi intonacioni, mimikat dhe gjestet e pasura ndihmojnë shumë. Gjuha e trupit kuptohet lehtë.
▪ Flisni me një ton të ngadalshëm dhe të ngrohtë, kjo e ndihmon fëmijën të procesojë fjalët dhe t’ju kuptojë më mirë.
▪ Komentoni më shumë, pyetni më pak. Shumë prindër, me qëllimin më të mirë, bëjnë shumë pyetje për të nxitur përgjigje. Megjithatë, kjo në disa raste mund ta shtypë dëshirën e fëmijës për të bashkëbiseduar. Praktikojeni p.sh. që në vend sa ta pyesni: “Çfarë është kjo?”, t`ì thuani: “Oh, një zog! Shiko, po fluturon. Apo në vend të: “Çfarë po bën bebi?” t`i thuani “Po, bebi po pin. Çfarë po pin ai?”.
▪ Përgjigjuni përmbajtjes së mesazhit që fëmija po përcjell, dhe jo shqiptimit. Qëllimi është të mbani bisedën gjallë, jo ta korrigjoni çdo fjalë të fëmijës.
Çka do të thotë të jesh bashkëbisedues i një fëmije që nuk flet (ende)?
Prindër të dashur, mos harroni se ju jeni personi më i rëndësishëm në jetën e fëmijës suaj. Nuk ka nevojë të jeni specialistë, ajo që ka më shumë vlerë është prezenca juaj e përditshme të fëmijës, sytë që e shikojnë me dashuri, zëri juaj që i flet, i reagon dhe e mbështet atë në përpjekjet për komunikim. Çdo bisedë me fëmijën tuaj është një fije e re që forcon e lidhjen tuaj, por edhe një hap drejt zhvillimit të plotë të tij. Nuk ka nevojë për orë të gjata ushtrimesh apo lodra të shtrenjta, mjafton një kohë e ndarë me dashuri dhe një prind që dëgjon e flet me shumë durim me fëmijën e vet.
Ndryshimi dhe rrugëtimi për të folur fillon në shtëpi. Prandaj në këtë rrugëtim fëmija nuk mundet vetëm. I duhet personi i dytë e ai është prindi. Pra, për të folur, gjithmonë duhen dy.
Autorja është në përfundim të studimeve Master Shkencor për Logopedi në Universitetin Mjekësor të Tiranës