Duhet ta rishikojmë marrëdhënien tonë me teknologjinë, jeta jonë varet prej saj
Jetët tona janë shpalosja e zgjedhjeve që bëjmë dhe të papriturave ku na hedh jeta. Kjo është e vërtetë për secilin prej nesh individualisht, dhe për njerëzimin në tërësi. Të jesh gjallë do të thotë të jesh në gjendje të hartosh strategji për të mbetur gjallë. Të gjitha krijesat e bëjnë këtë. Jeta në Tokë ka qenë jashtëzakonisht efikase për të mbetur gjallë, duke kapërcyer shumë ngjarje katastrofike globale. Sot, ne jemi bërë kërcënimi ynë ekzistencial. Dhe kemi nevojë për një strategji të re mbijetese, e cila fillon me një rikrijim të marrëdhënies sonë me teknologjinë.
Marcelo Gleiser
Njerëzit janë kafshë rrëfimtare. Ne e duam një rrëfim të mirë, një tregim me ndikim, kuptimplotë që na mëson diçka se si të jetojmë jetën tonë. Tregimet janë pasqyra që përdorim për të ekzaminuar veten, mënyra për të ditur se kush jemi dhe pse jeta jonë ka rëndësi. Secili prej nesh është një histori që shpaloset gjatë gjithë jetës sonë. Çdo zgjedhje që bëjmë është një degëzim në atë histori, duke e çuar rrëfimin në një drejtim dhe jo tek të tjerët. Ndërsa jetojmë dhe zgjedhim rrugën tonë mes këtij labirinti të krijimit, ne refuzojmë gjithashtu një mori “vetvetesh” të mundshme. Nëse do të kishit lëvizur në një vend tjetër, nëse do të kishit shkuar në një universitet tjetër, nëse nuk do të kishit takuar ose martuar me këtë person, do të kishit jetuar një jetë ndryshe, dhe po ashtu edhe ata përreth jush.
Për t’i bërë gjërat më sfiduese, jeta imponon disa zgjedhje gjatë rrugës. Rrethanat përtej kontrollit tuaj ju shtyjnë në këtë drejtim ose në atë drejtim, duke krijuar degëzime të papritura përgjatë rrugës suaj. Ndonjëherë këto të shtyjnë në një drejtim që nuk doje të shkoje, ose të paktën nuk e kishe planifikuar. Luftërat, pandemitë, humbjet dhe konfliktet, të gjitha ndërhyjnë. Ndonjëherë jemi me fat ose të lirë të zgjedhim se si reagojmë ndaj ngjarjeve të tilla, herë të tjera jo. Kjo liri ose mungesa e saj bën të gjithë ndryshimin.
Duke e përforcuar këtë për speciet tona, na duhet të pyesim për zgjedhjet tona kolektive dhe sa të lirë jemi për t’i bërë ato. Rritja shpërthyese e teknologjisë në dekadat e fundit, dhe veçanërisht me përshpejtimin e Epokës së Informacionit, na ka sjellë në një kryqëzim shumë të madh në rrugën drejt së ardhmes sonë kolektive. Cilën rrugë do të zgjedhim tani?
Kjo preambulë më sjell tek tre nga pyetjet më të thella shkencore rreth ekzistencës – pyetje të ndërlidhura me misterin e të qenit njerëzor. Ato janë çështje origjine, dhe si të tilla, përfshijnë domosdoshmërisht pyetje për fundin. Nuk mund të flasim për një fillim pa folur për një fund. Ekzistenca jonë është e kufizuar nga koha.
Jeta, Universi dhe një mendje për t’i drejtuar ato
Tre origjinat janë origjina e Universit, origjina e jetës dhe origjina e mendjes. Ky është rendi në të cilin gjërat evoluan në këtë kozmos. Universi duhej të ekzistonte përpara se jeta të mund të zhvillohej përfundimisht në të dhe ndoshta planetë të tjerë, dhe jeta duhej të ndodhte përpara se krijesat të zhvillonin aftësitë njohëse, që u shtohen fuqive të mendjes.
Ekziston një nivel kompleksiteti në rritje në mënyrën se si format materiale evoluan përgjatë kësaj periudhe kohore, pasi yjet gatuan atomet që u bënë krijesat e gjalla, të cilat kanë populluar këtë planet për të paktën 3.5 miliardë vjet. Jeta është materie të cilës i është dhënë një qëllim, me mandatin e padiskutueshëm për të mbetur gjallë. Këtu strategjia vjen në të gjitha format e gjalla – forma të ndryshme si kërpudhat, orkidetë, bakteret, gorillat, karavidhet, njerëzit dhe milingonat. Dhe aty ku gjen strategji, ka mendje.
Në mënyrë të ngjashme, juve ju duhej të konceptoheshit për të filluar të ekzistonit si një krijesë e gjallë që zhvilloi aftësi njohëse, të cilat ju lejuan të bëni zgjedhjet që krijuan atë që jeni tani. Jeta në Tokë kaloi nëpër sfida të panumërta ekzistenciale gjatë ekzistencës së saj, duke i shpëtuar zhdukjes disa herë.
Por çuditërisht, ajo mbijetoi, dhe pa dashur, përdori këto ngjarje të pothuaj zhdukjes për t’u rikthyer ndryshe, më elastike dhe me strategji më të mira për të mbijetuar. Bollëku spektakolar dhe përshtatshmëria e jetës në Tokë duhet të jetë një shembull se si rastet jashtë kontrollit tonë mund të jenë një forcë për rritje dhe mësim. A mund të mësojmë ne kolektivisht si specie, nga historia e jetës në planetin tonë?
Duke lexuar lajmet, perspektivat nuk duken të mira. Lufta përfshin kërcënime të mëdha sa perspektiva e asgjësimit bërthamor. Teknologjitë e reja sjellin frikëra të reja me vete, nga inxhinieria gjenetike tek Inteligjenca Artificiale e etur për pushtet.
Ne kemi zotëruar artin e shndërrimit të teknologjisë në kërcënim ekzistenciale dhe duket se jemi të terrorizuar nga mjetet që shpikim. E vetmja gjë që ndryshon gjatë rrugës është lloji i kërcënimeve – rreziqet që shoqërojnë teknologjitë që shpikim. Me çdo hap priremi të themi se kjo kohë është ndryshe.
Përshtatja me veten tonë
Duket se këtu ka një shkëputje thelbësore. Nga njëra anë, ne kemi një oreks të pafund për të renë, për shpikje që kanë një rol të dyfishtë, për të mirën dhe për të gabuarën. Një teknologji e re do të ndihmojë në zbutjen e vuajtjeve njerëzore, do të thjeshtojë prodhimin, do të përmirësojë cilësinë e jetës sonë kolektive. Por shumë shpejt, pala tjetër u bie këmbanave – mësojmë se kjo teknologji e re i shërben interesit të grupeve të liga dhe do të na shkatërrojë, nuk do të na shpëtojë. Kreativiteti sjell dritë dhe hije, duke vënë përballë lakminë kundër virtytit, bashkimin kundrejt ndarjes, kontrollin krahas përkatësisë, grabitjen e burimeve natyrore kundër rritjes së qëndrueshme.
Krahasoni kërcënimet teknologjike që vazhdojmë t’i imponojmë vetes, për shembull, me ndikimin e një asteroidi vrasës si ai që përshpejtoi fundin e dinosaurëve, së bashku me një pjesë të mirë të jetës në Tokë, 66 milionë vjet më parë. Ishte një rast i papritur. Ai i prezantoi gjithë jetës një zgjedhje shumë të papritur: Përshtatuni ose do zhdukeni.
Tani, ne vetë jemi bërë kontigjencat shkatërruese të planetit, duke vepruar kundër vetvetes dhe gjithë jetës. Ne jemi ngjarja e re globale vrasëse që po bën kërdinë me kolektivin e jetës dhe planetin. Cila është zgjedhja jonë? Duke i bërë jehonë paraardhësve tanë të largët të gjitarëve të kufirit Kretake-Paleogjen, zgjedhja e vetme është të përshtatemi ose të vdesim. Por si mund të përshtatemi? Duke gjetur strategji të reja mbijetese, që është dhe ka qenë gjithmonë imperativi thelbësor i jetës.