Duhet ta urresh shumë Kosovën e t’i bësh aq shumë dëme!

16 mars 2018 | 10:44

Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA

Idealistë të rrejshëm dhe materialistë të pangopur: Rrugëtimi i Kosovës drejt lirisë, qoftë edhe të tillë që e kemi, ishte i gjatë, me shumë mundime, vuajtje dhe sakrifica. Ata që i bënë sakrificat më të mëdha nuk janë në mesin tonë dhe mirë që nuk janë sepse, ose do të bëheshin si ne, ose do të na zhdëpnin dru apo me diçka edhe më të fortë. Po del se idealistët e rrejshëm, në fakt, ishin materialistë të maskuar e që tani u shndërruan në hiena të pangopura. Realisht, kur ishim në burgje dhe bisedonim për një të ardhme, ndonëse as atë ditën kur bisedonim nuk e kishim të sigurt, kurrë nuk bisedohej për pushtet apo të mirat që i sillte pushteti.

Në këtë kontekst, disa këlyshë të Titos dhe të Millosheviqit i merrnim si shembull se si nuk duhet të bëhemi kur ta bëjmë shtetin tonë (asnjëri nuk e paramendonte Kosovën si shtet, por bashkimin me Shqipërinë) kurse sot, disa nga ne jemi bërë më të këqij se ata. Kujt ia ka marrë mendja se aq shumë do të “sakrifikojmë” për pasuri dhe se do të bëhem aq hajna të mëdhenj dhe të rafinuar?! Një punë e kam shumë të sigurt se Rexhep Mala, Fehmi Lladrovci, Hafir Shala kurrë nuk do të bëheshin të tillë sikur që nuk u bë kurrë i tillë as Skender Kastrati. Tash, të krenohesh me të kaluarën e dikujt tjetër dhe të përpiqesh t’i arsyetosh hajnitë dhe të këqijat me fatura të atyre që krijuan vepra të përjetshme, a ka më paturpësi dhe më poshtërsi?!

Thonë se luftën e bëjnë idealistët, pushtetin e marrin oportunistët, kurse përfitojnë horrat, edhe nga radhët e idealistëve, sidomos të oportunistëve. Vetëm shihni kush po bëhet deputet, ministër, zëvendësministër, ambasador, kryetar apo anëtarë të bordeve. Shihni lidhjet politike dhe familjare dhe do të gjeni të përbashkët se nepotizmi është përcaktues i marrjes së një posti, nepotizmi familjar dhe nepotizmi politik! As te fisi Zulu nuk keni këso farë degjenerimi në rekrutimin e kuadrove që përmbajtësisht e shkatërrojnë shtetin sikur te ne. Ata që për këtë shtet dhe për këtë popull nuk e kanë shkrepë një pordhë të vetme, e që do të konsiderohej si sakrifica më e madhe e tyre, sot po ta sjellin Kosovën në gisht të vogël dhe po i bëjnë rrush e kumbulla këta lekët e paktë të Kosovës. Se si trajtohen idealistët e dikurshëm e keni shembullin më të mirë të Bacës Adem Demaçi apo edhe të sakrifikuesit më të madh te shqiptarët, por edhe të njerëzimit, Komandantit Legjendar, të Pavdekshmit Adem Jashari.

Derisa për kryetarin e LDK-së kemi raporte të rregullta për shëndetin e tij (sinqerisht i uroj shërim të shpejtë dhe të suksesshëm) dhe trajtohet në spitalet mondane gjermane, për Bacën Adem keni vetëm ndonjë postim në “Facebook” i cili, në të shumtën e rasteve, bëhet për qëllim të përfitimit politik dhe jo se e bëjnë për shkak të së kaluarës së papërsëritshme të Bacës dhe i cili trajtohet në familje, pa një interesim institucional. Ky është realiteti i sotëm dhe ky është vlerësimi për sakrificat e bëra për më shumë se 60 vjet të jetës. Në anën tjetër, ata që vodhën para dhe krijuan pasuri përrallore, të afërmit e tyre i bënë veteranë të UÇK-së edhe në rast se kanë qenë paramilitarë të Sheshelit, Arkanit sikur që u ngritën përmendore në shumë vende kurse, për Komandantin Legjendar të UÇK-së, të pavdekshmin Adem Jashari nuk u gjetën në Prishtinë madje as dy metra katrorë vend për përmendore të këtij kolosi të sakrificës. Serbët në Graçanicë dhe Mitrovicë u ngritën përmendoret Millosh Obiliqit dhe Kjaz Llazarit kurse shqiptarët nuk ia ngritën përmendoren Adem Jasharit në Prishtinë.

I bënë përmendore Himë Govës, Gonxhe Bojaxhiut-Nëna Tereze dhe Bil Klintonit kurse e shpallën persona non grata në Prishtinë Komandantin Legjendar, Adem Jashari. Si po zhvillohen gjërat sot në Kosovë, më parë do t’i ngritet përmendorja në Prishtinë Hashim Thaçit i cili po shëtit nga Parisi në Londër duke e shitur librin që ia kanë shkruar të tjerët për para të majme dhe duke ndarë znaçka politikanëve që u ka kaluar afati i përdorimit dhe u ka filluar afati i keqpërdorimit, se sa Komandantit Legjendar Adem Jashari. A ka turp më të madh për ne se këto trafikime me të pavërteta dhe rishkrime të historive personale. Besoj se nuk ka. Po të vinte te unë Hashimi me kërkesë t’ia shkruaj një libër për personalitetin e tij, do ta bëja shumë më mirë se këta të huajt.

Këta të huajt janë mercenarë të shkrimit, nuk kanë emocion fare kurse unë që e dua aq shumë Hashimin, do ta shkrija fare. Një mik imi, pasi m’i qerasi dy birra më tha se as ato nuk i meritojë se kurrë nuk e kam shkruar një shkrim hyjnizues për te. I thashë të shkojmë në një lokal pak më të mirë, ta trashim lëngun e pastaj, kur të shkruaj për te, historianët do ta pshurrin varrin e Napoleonit sa do të mbetet mbrapa veprave të këtij mikut tim. Hasha, në rrethin e tij ka të tillë që shkruajnë shumë mirë dhe që kanë qenë spiun të shokëve të tyre. E pse u deshtë të shkojë aq larg, në Angli. Po duket se madhështia i ka kaluar kufijtë lokalë kurse ne, që shkruajmë dhe mendojmë se kemi aftësi të shkruajmë, jemi thjeshtë pleshta lokalë!

Demarkacioni i vonuar me liberalizim të skaduar: Si çdo gjë që ka fund, edhe demarkacionit i erdhi fundi. U bënë votat, ashtu po duket. U caktua seanca për të martën, javën që vjen. Për fat të keq në atë kohë jam jashtë Kosovës dhe nuk mund të jam i pranishëm në këtë ngjarje historike. Dhe shumë mirë që nuk do të jem. Po e festoj “gëzimin” i vetmuar dhe me kujtimet dhe pamjet e këtyre dy viteve të fundit ku e rrasëm Kuvendin por edhe sheshet e Prishtinës me gaz lotsjellës dhe kur i rrahëm me stupcë dhe ua thyem kokat me gurë policëve të Kosovës, më zi se policëve të Millosheviqit. Nuk e lamë kë pa ia përmend nënën, gruan dhe motrat, që nga koha e Skënderbeut e deri më sot! U bëmë patriotë, i shpallëm të tjerët tradhtarë kurse u bëmë njohës dhe specialistë të kadastrës dha caktimit të kufijve.

E ishte një rekuizit pa të cilin nuk kishte jetë, metri made in Bulliqi ku ndalej vetëm në 8200 km, as më shumë e as më pak. Tash, e mësuam Çakorrin dhe Kullën e Zhlebit, unë pata dëgjuar vetëm për Kullën e Sheremetit. U formua Qeveria Haradinaj të cilën Avdullah Hoti po e lufton më shumë se qeverinë e Aleksandër Vuçiqit. Analistët po e sulmojnë dhe fyejnë Ramushin sepse paska dëshirë të jetë kryeministër sikur që të tjerët nuk e kanë pasur këtë dëshirë. Këta të luftës po dashka të sakrifikohen kurse bijtë dhe bijat e komunistëve jugosllavë dhe serbë qenkan parapaguar të marrin pushtetin.

Demarkacionin po e votojnë sepse nuk ka pasur rrugë tjetër e as mundësi tjetër të bëhet ndryshe. Edhe mbrojtja e demarkacionit sikur edhe kundërshtimi ka qenë i rremë, i pasinqertë dhe i pamoralshëm. Ka qenë manipulativ dhe mirë se po përfundon ky serial i manipulimeve dhe po ngushtohet hapësira për shpërndarje të rrenës dhe të patriotizmit të rrejshëm. E mira e kësaj është se disa politikanë shqiptarë i mësuan disa fjalë serbe duke i lutur këta të Lista Serpska për votë për Demarkacionin sikur: “mollim te daj jedan gllas za Demarkacionin, imash da budesh ministar, deputet, predsednik borda …” etj.

Fjalët e liga në Kuvend: Gjithmonë kur mjekët janë marrë me politikë, punën e kanë bërë m.t. Kjo është e vërtetë historike. Doktor Mengele, doktori nazist që bënte eksperimente për racën e re ishte mjek dhe u shndërrua në kriminel. Çe Gevara ishte mjek. Salvador Alende në Kil ishte mjek. Jovan Rashkoviq në Kroaci ishte mjek – psikiatër sikur edhe Radovan Karaxhiq në Bosnje. Bora Joviq ishte mjek në Serbi sikur që ishte Sali Berisha në Shqipëri. Ka të tillë shumë në Kosovë që e kanë titullin e doktorit e shpirtin e katilit. Në Kuvendin e Kosovës është një mjek nga Prizreni i partisë së Isait e që nuk e lenë kënd pa e marrë për goje duke u shitur moral. Kush shet diçka me shumicë, mbetet pa te për veten e vet!

Ky doktor i sulmon sidomos këta të luftës kurse me kujdes dhe dhembshuri i trajton pasardhësit e Titos dhe të Millosheviqit. Ata që kanë punuar për ta. Së fundi e përmendi në një kontekst shumë të ndyrë deputeten Bujupi sepse qenka kthyer në AAK. Rolin e saj e ndërlidhi disi me prostitucion. Doktori, anëtar i partisë që është tani, ndoshta nuk e dinë por partia së cilës i shërben me aq pasion lirisht mund të llogaritet klub i prostitutave politike, që nga themelimi i saj e deri më sot duke ua kthyer të pasmet çdo sunduesi në Kosovë dhe duke ofruar shërbime për të gjitha konjukturat politike që i kanë shaluar dhe i kanë lënë të lagura, deri në shalimin e radhës. Është rregull që ai që nuk e ka diçka, më së shumti flet për atë gjë, frikacaku flet për trimëri, i pamoralshmi flet për moral, hajni flet për ndershmëri, i pabesi flet për besë, tradhtari flet për patriotizëm e kështu me radhë.

E dyta, dikush e akuzoi deputetin Faton Topalli se është hipokrit sepse, ndonëse është i martuar, e paska edhe një të dashur deputete të Kuvendit të Kosovës, pa e përmendur me emër se kush qenka ajo. Nëse nuk zbulohet identiteti i deputetes, dashnore hipotetike e Faton Topallit, po del se të gjitha deputetet e Kuvendit të Kosovës qenkan dashnore potenciale të deputetit Faton Topalli! Çfarë poshtërsie, çfarë imoraliteti dhe me çka merren këta njerëz. O Zot, o Zot po aq poshtë kemi rënë a?!

Mjekra e Visarit dhe 420 000 eurot: Pasi Visari ia lëshoi mjekrën Albinit, tash e ka lëshuar për vete. Për të mirëmbajtur këtë mjekë rioshe, duhen para, prandaj GDP-ja po kërkon nga Albini 420 000 euro. Kërkesë modeste, duhet pranuar. Nëse duan ta realizojnë sa më shpejt dhe në mënyrë efikase këtë kërkesë le të shkojnë te partneri i mëparshëm i Albinit dhe Vetëvendosjes, Lëvizjes për Bashkim. Ata patën kërkuar para dhe patën fituar … të trashët e Sulës. Edhe Visari me shokë do të fitojnë të njëjtën gjë …të trashët e Sulës.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Izmi Zeka Idealizmi urban i heroit Rexhep Mala në disa…