Duhet të rritet llogaridhënia në të gjitha ndërmarrjet publike
Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Sala Berisha-Shala, ka thënë se është çasti i fundit kur kryesuesit e Ndërmarrjeve Publike (NP) në vend duhet të reflektojnë dhe t’i menaxhojnë situatat e krijuara konform ligjeve në fuqi.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ka thënë se Ndërmarrjet Publike (NP) duhet të jenë në trend me zhvillimet e tregut dhe konkurrencës së lirë.
“Nivelet menaxheriale të ndërmarrjeve duhet të jenë në nivelin e duhur menaxhues, sidomos në fazën e planifikimit afatmesëm dhe afatgjatë. Duhet të jenë në trend me zhvillimet e tregut të lirë dhe konkurrencës dhe se politikat financiare duhet t’i kenë në përputhshmëri, harmoni të plotë me aftësitë hyrëse financiare të ndërmarrjes. Po ashtu, duhet rritur llogaridhënia në të gjitha NP-të, në raport me aksionarin e në këtë kuptim dhe harmonizimi i pagave dhe shpenzimeve të tjera investive. NP-të dhe nivelet menaxhuese duhet të mendojnë dhe punojnë që të jenë likuide dhe të jenë kontribuuese të buxhetit të shtetit. Pra, konsideroj se është momenti i fundit që të gjitha ndërmarrjet dhe agjencitë e tjera ta arsyetojnë qëndrueshmërinë e tyre”, ka thënë Berisha Shala, duke shtuar se në Postën e Kosovës duhet të ketë nivelim të pagave në mënyrë që të dilet nga kriza financiare.
“Sigurisht se do të duhej të kishte nivelizim të pagave. Kjo do të shmangte edhe mbi punësimin në ndërmarrje publike. Nga ana tjetër, politikat menaxhuese me NP-të janë të rregulluara me ligjet në fuqi”, është shprehur Berisha-Shala.
Në këtë intervistë, Berisha-Shala, e cila është deputete nga radhët e PDK-së, ka folur edhe për situatën politike në vend, problemet në ndërmarrjen “Trepça” dhe për Postën e Kosovës. Sa iu përket problemeve të gërshetuara në mes të politikës dhe sindikatës në “Trepçë”, ajo ka thënë se në këtë ndërmarrje ka interferenca politike të bllokimit me qëllim të bllokimit të saj.
Në këtë kontekst, ajo ka akuzuar dhe polin opozitar që, sipas saj, “po veprojnë për çështje të çastit dhe poenë politike”. Po ashtu, ajo ka thënë se për gjendjen në “Trepçë” një pjesë të përgjegjësisë e ka edhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZhE). “Një pjesë të përgjegjësisë është edhe te Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZhE) dhe mekanizmat e tjerë menaxhues që ndërlidhen me hartimin e draftstatutit me hartimin e draftstatutit me harmonizimin e kërkesave sindikale”, ka deklaruar Berisha-Shala.
“Epoka e re”: Znj. Berisha-Shala, si e vlerësoni rrjedhën e zhvillimeve ekonomike?
Berisha-Shala: Rrjedha e zhvillimeve ekonomike është e pandashme nga rrjedha historike, përfshirë edhe ato politike të vendit. Nisur nga fakti se Kosova është shtet i ri dhe është krijuar pas një lufte shkatërrimtare mund të themi se rrjedhat ekonomike janë në rrugë të drejtë dhe prosperuese, ndoshta më të avancuara se rrjedhat politike të shtetit të Kosovës. Pra, bindja ime është që ka hapësirë të madhe që rrjedhat zhvillimore të dinamizohen fuqishëm. Do të dinamizohen nëse vazhdojmë ta përmirësojmë jo vetëm mjedisin legjislativ për mënyrën e të bërit biznes, mënyrën e thithjes së investimeve të jashtme, por t’i përmirësojmë dhe fuqizojmë energjitë tona për riaktivizimin e kapaciteteve në industrinë përpunuese minerare e cila do të na hapte mundësi eksporti dhe tërheqjeje të investitorëve strategjikë. Funksionalizimi i sektorëve strategjikë për zhvillimin ekonomik të vendit do ta ndryshonte pozitivisht rrjedhën e zhvillimeve ekonomike. Një nga këta sektor është sektori minerar i përfaqësuar me mineral të linjitit dhe plumb-zink. Që të dyja këto minerale janë si pjesë e ndërmarrjeve publike, që vazhdojnë të subvencionohen nga shteti dhe që kanë performancë jo të mirë.
“Epoka e re”: Kanë kaluar gati dy vjet nga miratimi i Ligjit për “Trepçë”-n, ndërkohë që ende diskutohet për draftstatutin e kësaj ndërmarrje. Pse e gjithë kjo neglizhencë?
Berisha-Shala: Ka qenë lajm i mirë para dy vjetëve hyrja në fuqi e Ligjit për “Trepçë”-n. Por, për fat të keq, ende nuk shohim hapa konkretë të zbatimit të tij, e që do ta funksionalizonte ndërmarrjen. Përkundër miratimit të ligjit dhe vullnetit që patën deputetët e asaj legjislature, ka dozë të një vetëkënaqësie në të gjitha nivelet institucionale dhe menaxhuese në “Trepçë”. Pjesë tjetër e këtij problemi është edhe situata e brishtë politike që nënkupton edhe moskompletimi i bordit të “Trepçës” dhe vazhdimi i qasjes negative penguese i pjesës kundërshtare të funksionalizimit të “Trepçës”. Një pjesë të përgjegjësisë është edhe tek Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZhE) dhe mekanizmat e tjerë menaxhues që ndërlidhen me hartimin e draftstatutit dhe me harmonizimin e kërkesave sindikale.
“Epoka e re”: A kemi të bëjmë me çështje politike brenda vendit apo kemi me ndonjë ndërhyrje të shtetit fqinj, Serbisë?
Berisha-Shala: Cilado që të jetë, minuset shkojnë tek institucionet tona. Resurset minerale janë kategori kushtetuese të rregulluare dhe me ligj të veçantë. Konsideroj se është kompetencë kushtetuese dhe ligjore e institucioneve të Republikës së Kosovës nisur nga fakti se resurset minerale janë kategori kushtetuese dhe duhet të veprojë shteti dhe ligji. Qeveria është e obliguar t’i zbatojë ligjet që i nxjerrë Kuvendi. Në këtë pikë është dashtë të këmbëngulë edhe opozita, e jo të bëhet pjesë e prolongimit të statutit të “Trepçës” për përfitime politike të rastit.
“Epoka e re”: Në këtë kontekst është vendosur të formohet një grup punues sa i përket draftstatutit dhe pakënaqësive të sindikatës, ndërkohë që nuk është mbajtur asnjë takim i këtij grupi. Kur pritet të kemi rezultate konkrete?
Berisha-Shala: Saktësisht në këtë situatë tani kemi përfshirje të politikës në procesin e miratimit të statutit. Kërkesat e caktuara që bien ndesh me ligjin dhe me konceptin zhvillimor të “Trepçës” janë të panevojshme dhe zvarrisin procesin e konsolidimit juridik dhe ekonomik të “Trepçës”. Lojërat dhe marrëveshjet e shkruara dhe të pashkruara me grupet e interesit, me grupe sindikale e institucione shtetërore, pa ndonjë qartësi dhe objektiv të qartë, nuk mund t’i kuptoj ndryshe vetëm se tendencë politike dhe opozitare për tek krijuar probleme sociale dhe imazh të keq për menaxhmentin, sindikatën si dhe ministritë gjegjëse. Bazuar në marrëveshjen e fundit që ka MZhE-ja me sindikatën, rezulton që do të duhej të vinte në Kuvend shumë shpejt drafti final i statutit të “Trepçës”. Krejt në fund përgjegjës dhe obligues janë nënshkruesit e marrëveshjes së fundit, MZhE-ja dhe sindikata. Komisioni parlamentar të cilin e kryesoj unë do ta procedojmë sa më parë që është e mundur statutin final për “Trepçën”, sa më parë që është e mundur, sapo Qeveria ta sjellë në Kuvend.
“Epoka e re”: Znj. Berisha-Shala, këto ditë kemi pasur protestë të punëtorëve të Postës së Kosovës për shkak të mosmarrjes së pagave, kurse paga mesatare llogaritet të jetë 700 euro. Sipas jush, a duhet të bëhet nivelim i pagës në përputhje të pagës mesatare në Kosovë?
Berisha-Shala: Sigurisht se do të duhej të kishte nivelizim të pagave, sepse do të shmangej edhe mbipunësimi në ndërmarrje publike. Nga ana tjetër, politikat menaxhuese me NP-të janë të rregulluara me ligjet në fuqi. Nivelet menaxheriale të ndërmarrjeve duhet të jenë në nivelin e duhur menaxhues, sidomos në fazën e planifikimit afatmesëm dhe afatgjatë. Duhet të jenë në trend me zhvillimet e tregut të lirë dhe konkurrencës dhe se politikat financiare duhet t’i kenë në përputhshmëri, harmoni të plotë me aftin hyrës financiar të ndërmarrjes. Po ashtu, duhet rritur llogaridhënia në të gjitha NP-të, në raport me aksionarin e në këtë kuptim, edhe harmonizimi i pagave dhe shpenzimeve të tjera investive. NP-të dhe nivelet menaxhuese duhet të mendojnë dhe punojnë që të jenë likuide dhe të jenë kontribuuese në buxhetin e shtetit. Pra, konsideroj se është momenti i fundit që të gjitha ndërmarrjet dhe agjencitë e tjera ta arsyetojnë qëndrueshmërinë e tyre.
“Epoka e re”: Mosrishikimi i buxhetit, sa ka shkaktuar vakum sa iu përket kërkesave buxhetore?
Berisha-Shala: Rishikimi i buxhetit zakonisht bëhet në muajin korrik dhe ka për qëllim përshtatjen e buxhetit varësisht se si ka rrjedhur dinamika e grumbullimit të të hyrave dhe shpenzimit të mjeteve buxhetore. Kuvendi, përkatësisht deputetët, është mirë ta dinë se si ka ardhur deri në këtë fazë, sa janë realizuar projektet, sa janë bërë shpenzime, sa janë shpenzuar brenda të hyrave buxhetore etj. Dhe tërë kjo është në të mirën e transparencës. Përndryshe, rishikimi i buxhetit nuk është obligim ligjor dhe Qeveria nuk e sjell fare në Kuvend nëse mendon se nuk do të ketë reflektim negativ ose nuk do të shkaktonte eventualisht ndonjë vakum sa iu përket kërkesave buxhetore.