Duhet të ulemi dhe të bëjmë një analizë për pandeminë sot në Kosovë
Kosova që nga 13 marsi ka ndërmarrë masa të ndryshme për parandalimin e përhapjes së Koronavirusit, por që ditët e fundit ka rënie të numrit të rasteve të të infektuarve dhe është rritur numri i të shëruarve.
Infektologu Valbon Krasniqi, në një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë se duhet të bëhet një analizë e situatës epidemiologjike dhe duhet parë nivelin e testimeve në vend.
“Ne duhet të shohim me vëmendje të shtuar situatën me pandeminë në nivel të vendit. Mendoj se autoritetet qeveritare bashkë me ekspertët e fushës përkatëse duhet të ulen dhe të bëjnë një analizë të mirëfilltë të situatës që nga fillimi i pandemisë e deri në ditët e sotme. Duhet parë nivelin e testimeve që janë kryer në nivel të vendit tonë”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka shtuar se për lehtësim të masave duhet pasur parasysh numrin e rasteve aktive dhe rasteve që janë të shtruar në Klinikën Infektive. “Duhet parë me kujdes edhe rastet aktive të cilat janë ende, po ashtu edhe numrin e rasteve të kontaktit në terren, pra janë disa parametra shumë të rëndësishëm të cilat duhen marrë për bazë. Unë besoj se autoritetet t’i marrin këto parametra dhe në bazë të tyre të vlerësohen.
Është shumë me rëndësi, meqë jam klinicist dhe po e potencoj parametrin klinik, çka nënkupton kjo. Duhet parë dhe duhet analizuar numrin eventual të pacientëve të cilët kanë pasur nevojë të shtrihen në klinikë ose në rast të zbutjes së masave, numrin eventual të personave të infektuar që do të kërkonin eventualisht trajtim mjekësorë”, ka thënë Krasniqi.
Krasniqi ndihet optimist që, sipas tij, këta parametra janë duke u plotësuar në ditët e fundit. Ai ka thënë se është koha për relaksim dhe duhet edhe më tutje të respektohen rekomandimet e ekspertëve mjekësorë, raporton EO.
“Tani për tani edhe ky parametër po shkon në favor të zbutjes së masave, megjithatë ende nuk ka vend për gëzim para kohe, duhet të jemi të vëmendshëm dhe duhet të vazhdojmë respektimin e masave në kuptim të parandalimit të përhapjes së pandemisë”, ka thënë Krasniqi.