Duhet unitet politik për dialogun

24 korrik 2018 | 11:08

Analisti politik Behxhet Shala ka thënë të dielën se tashmë është arritur marrëveshja midisi Thaçit e Vuçiqit dhe se vetëm po kërkohet një mënyrë për t’u plasuar në opinion.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka theksuar se kjo marrëveshje do të jetë e dhimbshme për të dyja palët.

“Mendoj se tashmë veç është arritur një marrëveshje midis Thaçit dhe Vuçiqit dhe se vetëm po kërkohet një mënyrë për t’u plasuar në opinion. Siç e dini, këtu më nuk po flitet për vite, por për muaj dhe për një marrëveshje të dhimbshme për të dyja palët”, është shprehur Shala, duke shtuar se faktori politik në Kosovë duhet të ketë unitet për procesin e dialogut me Serbinë.

Në këtë kontekst ai ka bërë me dije se është momenti vendimtar që të gjitha partitë politike të bëhen bashkë dhe të arrijnë konsensus për të parandaluar çdo rrezik të mundshëm.

“Nëse nuk arrihet ky unitet, të gjithë do ta paguajnë çmimin. Askush nuk mund të thotë se e kemi kundërshtuar Thaçin dhe me këtë e kemi kryer detyrën tonë politike e kombëtare. Nëse i ikën procesit dhe nuk je pjesë e tij, nuk mund t’i ikë përgjegjësisë. Debatet e deritashme kanë qenë të kota. Faktori politik shqiptar duhet të vetëdijesohet se është momenti i fundit që t’i parandalojë disa zhvillime negative. Për këtë arsye duhet uniteti politik duke u larguar prej disa parimeve të përcaktuara”, ka deklaruar Shala.

Ai ka hedhur poshtë mundësinë që pjesë e bisedimeve të jetë edhe çështja e territoreve, duke thënë se nëse kufijtë vihen në lojë, atëherë lufta është e pashmangshme. Shala ka vlerësuar se loja e territoreve është një kërcënim në mënyrë që të pranohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.

“Nuk shoh rrezik për territore, sepse nëse kufijtë vihen në lojë atëherë lufta është e pashmangshme. Mendoj se është momenti vendimtar që të gjitha partitë politike të bëhen bashkë dhe të arrijnë një konsensus që të parandalojnë çdo rrezik të mundshëm. Ndonëse jam i sigurt se një marrëveshje preliminare është arritur, tani vetëm po kërkohet mënyra se si të plasohet kjo marrëveshje para opinionit, sidomos atij në Kosovë, pa shkaktuar turbulencë të madhe”, ka theksuar Shala.

“Epoka e re”: Z. Shala, si po e shihni përmbylljen e procesit të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë?
Shala: Mendoj se tashmë veç është arritur një marrëveshje midisi Thaçit dhe Vuçiqit dhe se vetëm po kërkohet një mënyrë për t’u plasuar në opinion. Siç e dini, këtu më nuk po flitet për vite, por për muaj dhe për një marrëveshje të dhimbshme për të dyja palët.

 “Epoka e re”: Çfarë do të thotë kjo marrëveshje e dhimbshme për të dyja palët?
Shala: Janë hedhur në ajër tema të mëdha, madje po flitet edhe për territore, në mënyrë që Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe të kalojë më lehtë dhe të ketë kompetenca ekzekutive. Këtu është krejt qëllimi. Nuk besoj se çështja e territoreve do të jetë pjesë e këtij dialogu sepse po të flitet për territore duhet të flitet për të gjitha territoret ku kanë jetuar më herët shqiptarët. Nuk shoh mundësi të ketë ndryshim kufijsh. Askujt nuk i përshtatet ndryshimi i kufijve sepse do të ketë pasoja për të gjitha shtetet përreth. Askush nuk ka kohë t’i ndryshojë kufijtë e shteteve ballkanike meqë nuk e dinë se ku do të përfundojë. Mirëpo qëllimi është të krijohet një etnitet i Serbisë përmes serbëve të instrumentalizuar i cili në të ardhmen do të ishte shumë i dëmshëm për Kosovën. Loja e territoreve është një kërcënim në mënyrë që të pranohet Asociacioni.

 “Epoka e re”: Nuk shihni rrezik që çështja e territoreve të jetë pjesë e tavolinës së bisedimeve?
Shala: Jo, sepse nuk mund të flitet vetëm për territorin e një shteti, por duhet të flitet për të gjitha territoret ku kanë jetuar shqiptarët. Në rrethanat aktuale dikush duhet të jetë i çmendur që të pranojë që Serbisë t’i japë territor, aq më parë që ajo ka marrë shumë më tepër sesa që i ka takuar. Nuk shoh rrezik për territore, sepse nëse kufijtë vihen në lojë, atëherë lufta është e pashmangshme. Mendoj se është momenti vendimtar që të gjitha partitë politike të bëhen bashkë dhe të arrijnë një konsensus që ta parandalojnë çdo rrezik të mundshëm. Ndonëse jam i sigurt se një marrëveshje preliminare është arritur. Dhe tani vetëm po kërkohet mënyra se si të plasohet kjo marrëveshje para opinionit sidomos atij në Kosovë pa shkaktuar turbulencë të madhe.

“Epoka e re”: Si mund të arrihet konsensusi kur tashmë edhe LDK-ja po e kundërshton vazhdimin e procesit të dialogut?
Shala: LDK-ja po e luan një lojë të pandershme. Është pikërisht LDK-ja që e ka votuar Thaçin për president. LDK-ja ka vrapuar maratonën, kurse në kilometrin e 44 po mundohet të tërhiqet. Por mendoj se LDK-ja duhet të bëhet pjesë e procesit. Unë e kundërshtoj Hashim Thaçin për kryenegociator sepse ai duhet të jetë i barabartë me të tjerët, pra i jap përparësi Qeverisë dhe Kuvendit. E përkrah Thaçin vetëm nëse ai del para Kuvendit dhe e merr bekimin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Për këtë arsye duhet të arrihet një konsensus politik paraprak që të shikohet se cilat kanë qenë dobitë dhe dëmet e këtij procesi, dhe si duhet të shkohet më tutje. Evropa dhe partnerët ndërkombëtarë të pranojnë vetëm nëse ti ke kapacitet destabilizues, sepse ai që ka kapacitet destabilizues ka kapacitet edhe stabilizues. Hashim Thaçi duhet të ulet dhe ta dijë se është vetëm i pari në mesin e të barabartëve.

 “Epoka e re”: Jeni optimist se do të mund të arrihet ky unitet politik?
Shala: Nëse nuk arrihet ky unitet, të gjithë do ta paguajnë çmimin. Askush nuk mund të thotë se e kemi kundërshtuar Thaçin dhe me këtë e kemi kryer detyrën tonë politike e kombëtare. Nëse i ikën procesit dhe nuk je pjesë e tij nuk mund t’i ikë përgjegjësisë. Debatet e deritashme kanë qenë të kota. Faktori politik shqiptar duhet të vetëdijesohet, se është çasti i fundit që t’i parandalojë disa zhvillime negative. Për këtë arsye duhet uniteti politik duke u larguar prej disa parimeve të përcaktuara.

“Epoka e re”: Në vend të arritjes së unitetit, opozita po kërkon zgjedhje të reja.
Shala: Mund të kërkojë çfarë të dojë, por zgjedhje nuk do të ketë. Në rrethanat normale faktori ndërkombëtar kurrë nuk do të pranonte që Kosova të udhëhiqet nga Thaçi, Veseli e Haradinaj, mirëpo këta u duhen për vendime me muskujt të cilët edhe mund të jenë të kushtueshëm, por nuk ndërrohet ekipi.

“Epoka e re”: Nuk mendoni se do të ketë zgjedhje të reja dhe se kjo opozitë mund ta rrëzojë koalicionin qeverisës?
Shala: Jo, nuk do të ketë zgjedhje. Këtë e dinë shumë mirë edhe LDK-ja edhe Vetëvendosja. Madje e dinë se edhe po të kishte zgjedhje nuk do të mund t’i fitonin ato. Zgjedhjet varen edhe nga ndërkombëtarët të cilët në asnjë mënyrë nuk do të lejojnë që në këtë fazë të shkohet në zgjedhje. Zgjedhje nuk do të ketë.

“Epoka e re”: Nëse nuk do të ketë zgjedhje, si do të mund të vazhdohet më tutje kur Kuvendi është bërë jofunksional?
Shala: Në këtë fazë askujt nuk i konvenon që Kuvendi të jetë funksional sepse, po të ishte Kuvendi i përgjegjshëm, do të kërkonte përgjegjësi nga Thaçi për procesin e dialogut. Është krijuar një kaos artificial, ndoshta i qëllimshëm. Procesi i dialogut në mënyrën se si është duke shkuar nuk kërkon institucione të qëndrueshme dhe nuk kërkon Kuvend funksional.

Shqipe HETEMI

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këngëtarja e famshme Rihanna i ka munguar skenës botërore për…