Duka i bindur: Fitojmë ndaj Çekisë, e meritojmë një vend në Evropian
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ishte i ftuar në emisionin “Më lër të flas” në televizionin në “Top Channel” ku komentoi disa nga çështjet më të diskutuara të momentit, duke nisur nga zgjedhja e tij si zv/president i UEFA-s e për të vijuar me synimet në kualifikueset e Euro 2024.
Gjithashtu, presidenti Duka ka folur për kryesisht për kombëtaren, marrëdhëniet me trajnerin kuqezi apo me drejtuesit e UEFA-s, interesimin e madh të shqiptarëve për ndeshjen me Çekinë, shanset për t’u kualifikuar në “Euro 2024”, por edhe infrastrukturën, kampionatin shqiptar dhe momentet më të bukura në karrierën e tij.
“Është një nga ndeshjet më të rëndësishme, pasi Çekia ka një formë dhe gjendje të mirë. Ka pasur edhe paraqitje të mira në kualifikuese dhe për pozicionin që ka në renditje, pasi ndodhet në vendin e dytë pas Shqipërisë. Për ne është akoma shumë e rëndësishme, pasi nëse marrim një rezultat pozitiv me Çekinë pothuajse arrijmë në ‘Euro Gjermani 2024’. Është le të themi një kryqëzim shumë i rëndësishëm për të marrë rrugën për në Gjermani, por nuk është kryqëzim fatal për ne, për çekët po”, ka thënë ai.
Kualifikimi në Euro 2024 – “Në fakt kemi bërë shumë mirë, ekipi ka bërë shumë mirë, çdo gjë është bërë mirë deri në këtë moment dhe jemi në vendin e parë. Kemi hedhur një hap të rëndësishëm, por që të arrijmë objektivin duhet t’i bëjmë akoma më mirë këto tre ndeshjet e mbetura. Nuk mund të mendojmë që kemi shkuar në Europian pa mbyllur ndeshjet. Ndjesia ime është që do të arrijmë kualifikimin dhe meritojmë të kualifikohemi”.
Puna e trajnerit Sylvinho – “Sylvinho padyshim që është drejtuesi, regjisori, organizatori i kësaj skuadre, ai që i bashkon dhe krijon frymën e grupit në skuadër. Një ekip kombëtar ka specifikat e veta, ku trajneri ka shumë pak kohë në dispozicion, ka shumë pak mundësi për të ndryshuar gjendjen fizike, qoftë edhe përgatitjen e tyre. E rëndësishme është të krijosh frymën e grupit, dhe të zgjedhësh lojtarët e duhur në momentin e duhur dhe në vendin e duhur, këtë gjë Sylvinho e ka bërë shumë mirë. Përkushtimi i tij është realisht i jashtëzakonshëm, puna e tij profesionale dhe në grup me stafin e tij është e niveleve të larta dhe kjo ka bërë që të jemi mirë. Në fund të fundit edhe fati e ka shpërblyer”.
Zgjedhja zv/president i UEFA-s – “Zgjedhja ime zëvendëspresident i UEFA-S, ndodhi siç ndodh natyrshëm. Kam shumë kohë në futboll, shumë kohë anëtar i UEFA-s dhe një nga anëtarët duhet të bëhej Zëvendëspresident dhe këtë herë ishte radha ime. Gjithçka është me zgjedhje në Komitetin Ekzekutiv, me votim dhe normalisht duhet të kesh edhe disa kontribute dhe për këtë të vlerësojnë”.