Duka: Kosovarët e diasporës e zgjedhin Shqipërinë
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, pretendon se kosovarët që jetojnë në vendet e jashtme preferojnë të luajnë për ekipin kombëtar të Shqipërisë.
Armand Duka ishte i ftuar në emisionin “Opinion”, ku diskutoi për shumë gjëra që kanë të bëjnë me futbollin shqiptar, përfshirë këtu edhe zgjedhjen e futbollistëve për të luajtur për Shqipërinë apo Kosovën. Sipas Dukës, kosovarët të cilët rriten jashtë Kosovës preferojnë të luajnë për Shqipërinë dhe për ta vërtetuar këtë ai e përmend rastin e Ardian Ismajlit, i cili së fundi zgjodhi ta vazhdojë karrierën me Shqipërinë.
Ismajli i kishte zhvilluar nëntë ndeshje për ekipin kombëtar U-21 të Kosovës dhe në maj të vitit 2018 e bëri paraqitjen e vetme për ekipin e parë të “Dardanëve”. Pasi nuk luajti më për skuadrën e Bernard Challandes, ai iu bashkua Kombëtares së Shqipërisë, për të cilin debutoi në nëntor të vitit të kaluar.
“Futbollistët që janë në Kosovë sigurisht e kanë zgjedhje të parë Kosovën, por kosovarët që janë në diasporë, kanë treguar që zgjedhin edhe Shqipërinë. E kemi të freskët së fundmi rastin e Ismajlit”, deklaroi Duka.
Përkundër këtij pretendimi të Dukës, shumica e lojtarëve që luajnë për ekipin e Kosovës janë futbollistë që janë rritur në vendet e huaja dhe kishin mundësi të luajnë edhe për kombëtare të tjera, por e kanë zgjedhur Kosovën .