Duka: Lojtarët të harrojnë shortin, të mendojnë për ‘Euro 2024’
Presidenti i FShF-së, Armand Duka në Supersport e ka komentuar rreth shortit të Ligës së Kombeve, aty ku Shqipëria do të luajë në Grupin 1 të Ligës B së bashku me Çekinë, Ukrainën dhe Gjeorgjinë.
Numri një i Federatës theksoi se do të preferonte Anglinë në vend të Çekisë ndërsa ftoi lojtarët e kombëtares të mendojnë fillimisht për Evropianin dhe më pas për Ligën e Kombeve.
“Shorti? Janë skuadra të të njëjtit nivel sportiv, i pranueshëm. Janë skuadra të mira, por nuk mund të thuhet se do të ishim më mirë në një grup tjetër. Jemi një grup i balancuar, i vështirë për t’u parashikuar fitues. Grup interesant. Nëse do të kisha zgjedhur me dorë mund të kishte ndryshime, nuk doja Çekinë. Janë të fortë dhe e kemi provuar, do të më pëlqente pse jo Anglia. Është kënaqësi kur luan kundër të mëdhave dhe fiton eksperiencë”, ka thënë Duka.
“Ajo që dua dhe që i bëj thirrje futbollistëve është që le të mos mendojmë shumë për këtë short, edhe pse do ta marrim seriozisht, por duhet të përqendrohemi në Evropian. futbollistët duhet ta shijojnë Evropianin, ashtu edhe tifozët. Spanja, Kroacia dhe Italia ishin në Ligën A dhe ne ato i kemi në grupin e Evropianit”.
“Kur konfirmohet Sylvinho apo keni ndonjë plan B? Nuk ka asnjë plan B, nuk e mendoj të ndërpres marrëdhënien me stafin. Ka qenë një periudhë e ngarkuar dhe nuk kemi pasur kohë të ulemi dhe të bisedojmë. Kemi para Evropianin dhe ai ka qenë i përqendruar aty, është një sukses i madh edhe për Sylvinhon që nuk është një nga ata trajnerët me shumë eksperiencë. Por, do ta gjejmë mundësinë të diskutojmë edhe për atë që do ndodhë përtej Evropianit”.
Kandidat për president të UEFA-s pas vendimit të Çeferin për të mos rikandiduar? “Asgjë nuk e pengonte Çeferin që të vazhdonte, por edhe unë si futbollistët jam i përqendruar te Evropiani”, u shpreh Duka.
Grupi i Shqipërisë:
Liga B, Grupi 1
Çeki
Ukrainë
Shqipëri
Gjeorgji