Duka pritet në takim nga ministrja Kushi: Futbolli ka nevojë për mbështetje financiare

17 qershor 2022 | 15:05

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka u prit sot në një takim nga Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi për të diskutuar në lidhje me propozimet e bëra në tryezën e fundit që FSHF organizoi me klubet e kategorisë “Abissnet Superiore” dhe Kategorisë së Parë për gjetjen e mundësive për incentivimin e futbollit.

Në këtë takim Presidenti Duka shoqërohej nga Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, presidenti i Klubit Tirana, Refik Halili dhe presidenti i klubit të Bylisit, Besnik Kapllanaj, ndërsa të pranishëm ishin edhe zëvendësministri i Arsimit e Sportit, Endrit Hoxha dhe përfaqësues të tjerë të MAS.

Fillimisht, Ministrja Kushi falënderoi Presidentin Duka dhe Federatën Shqiptare të Futbollit për organizimin e shkëlqyer të finales së UEFA Conference League në Tiranë, që ishte në reklamë e fantastike për Shqipërinë dhe i dhuroi vendit një imazh tejet pozitiv në arenën ndërkombëtare. Gjithashtu, ajo dha mbështetjen maksimale për ndryshimin e ligjit të sponsorizimeve, që do t’i jepte një nxitje investitorëve për t’u afruar në sportit shqiptar dhe se duhet të shikojmë të gjithë modelet e suksesshme perëndimore për të arritur të implementojmë në mënyrë të suksesshme në realitetin shqiptar. Ministrja Kushi theksoi se është e gatshme të mbështesë kërkesat e komunitetit të futbollit dhe gjetjen e mënyrave për incentivimin financiar të klubeve e akademive në mënyrë që të krijohen kushtet e duhura për fëmijët që të luajnë sportin më të dashur në vend.

“Duam të dëgjojmë më shumë për mundësinë e formalizimit të tregut digjital ndaj nisëm sot një dëgjesë me përfaqësues të Federatës Shqiptare të Futbollit, me qëllim që të shkëmbejmë opinionet dhe qëndrimet tona me frymë dialogu e bashkëpunimi edhe për ligjin e sponsorizimeve dhe çështje të tjera që lidhen me sportin. Ministria e Arsimit dhe Sportit ka treguar mbështetje të vazhdueshme për zhvillimin e sportit në vend dhe takime të tilla janë të dobishme për të ecur bashkërisht përpara e për të ndërmarrë politika që garantojnë një sport dinjitoz. Në ditët në vijim do të zhvillojmë dëgjesa edhe me përfaqësues të federatave të tjera sportive dhe grupe interesi”, – tha Ministrja Kushi.

Ndërsa, Presidenti i FSHF-së në një prononcim për median pas takimit deklaroi se është e rëndësishme që qeveria të mbështesë zhvillimin e futbollit, që nuk është thjeshtë një garë sportive, por luan rol të rëndësishëm në edukimin e fëmijëve. Kreu i qeverisë së futbollit shqiptar tha se gjatë takimit i janë parashtruar Ministres propozimet që kanë dalë nga tryeza me klubet për ligjin e sponsorizimeve, krijimin e një fondi për mbështetjen e futbollit apo edhe alternativa e hapjes së basteve sportive, në mënyrë që të ardhurat nga taksat e këtij aktiviteti të përdoren për zhvillimin e futbollit.

“Ne organizuam një tryezë me klubet e kategorisë ‘Abissnet Superiore’ dhe Kategorisë së Parë në FSHF për të parë mundësitë dhe alternativat e financimit apo incentivimit për zhvillimin e futbollit në Shqipëri. Duke parë këtë vetë Ministrja e Arsimit, Rinisë dhe Sportit na ftoi në këtë takim sot. Në takim padyshim ajo që i parashtruam Ministres që zhvillimi i futbollit, jo vetëm si një garë profesioniste, jo vetëm si një garë elitare, por duke e parë si një edukim të fëmijëve e jo vetëm sportivisht, por edhe më gjerë, ka nevojë për mbështetje financiare. Federata e Futbollit herë pas here gjen dhe propozon alternativa, siç ishte edhe siç vazhdon të insistojë në ligjin sponsorizimit apo në krijimin e një fondi për mbështetjen e futbollit. Në këtë këndvështrim bëmë edhe propozimin tjetër, meqë bastet sportive aktualisht luhen në Shqipëri, nuk janë ndërprerë, por vazhdojnë, atëherë taksambledhësi të mos jetë person privat, por të jetë shteti dhe këto të ardhura shteti t’i adresojë për zhvillimin e futbollit”, – tha Presidenti Duka, duke shtuar se krijimi i legjislacionit të duhur mund të nxisë afrimin e investitorëve dhe mund të japë efekte në përmirësimin e infrastrukturës sportive dhe përmirësimin e kushteve për fëmijët që duan të luajnë futboll.

“Qeveria mund të thotë se këto i dimë të gjitha vetë, lëre ligjin e sponsorizimeve, lëri bastet se ne do të vendosim një buxhet dhe mund të jetë edhe kjo një zgjidhje. Por gjithsesi, ne mundohemi që të japim ato alternativa dhe mundësi tonat. Ligji i sponsorizimit mbetet shumë i rëndësishëm, sepse krijon një lidhje direkte të futbollit dhe biznesit. E shtyn akoma më shumë dhe mund të japë efektet e veta për shtimin e numrit të futbollistëve në Shqipëri, për rregullimin e infrastrukturës sportive, për përmirësimin e kushteve dhe për zhvillimin akoma më shumë të futbollit të vajzave dhe grave. Sepse dihet që ka disa kërkesa specifike më shumë se sa futbolli i djemve. Kështu që për të gjitha këto kërkohet mbështetje financiare, nga Ministrja na u premtua që do ta vazhdojë, kemi bërë një takim të mëparshëm në fakt për ligjin e sponsorizimeve, do të vazhdojë të organizojë takime edhe me ekspertë dhe do t’ia propozojë qeverisë një nga këto zgjidhje”, – nënvizoi Duka.

Sakaq, Presidenti i FSHF-së theksoi se futbolli ka nevojë për incentiva financiare pasi siç dihet është sporti më popullor në Shqipëri dhe ka nevojë për buxhete të mëdha. Gjithashtu, Duka u shpreh se Federata e Futbollit e vetme ka financuar dhe vazhdon të financojë projekte të rëndësishme për futbollin e fëmijëve.

“Ne sot i kemi dorëzuar Ministres propozimet tona të ndarë në tre çështje, një për ligjin e sponsorizimit, pothuaj atë që kemi propozuar edhe dy vjet më parë, për bastet sportive dhe detyrimin e Ministrisë së Arsimit e Sportit për të përballuar një fond minimal nga edukimi i fëmijëve që bën Federata e Futbollit. Ju e dini që Federata rreth 6 vite më parë ka filluar një projekt “Topi im”, që i jep topa falas çdo njeriu që luan futboll në Shqipëri. Për herë të parë në vitin 2022, fillojmë në shtator me furnizimin me uniforma loje dhe çdo lloj materiali sportiv që i duhet një fëmije për futboll. Por nuk mjafton kaq për të shtuar numrin e fëmijëve, do të duhen fusha sportive, duhen paguar trajnerët, arbitrat, që janë buxhete jashtëzakonisht shumë të mëdha. Kështu që nga buxheti i saj, Ministria e Arsimit nuk ka pse e përjashton Federatën e Futbollit, gjithmonë me një lloj arsyetimi që futbolli është i pasur. Vërtetë ka buxhete më të mëdha se Federatat e tjera, por ka një numër shumë më të madh njerëzish që aktivizohen në futboll”, – deklaroi Presidenti Duka.

 

https://youtu.be/V65cs3Qht0I

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Rei Manaj, ka mbyllur aventurën e…