Duka thirrje atyre që për inate personale pengojnë FFK-në: Hiqni dorë nga kjo sjellje
Presidenti i FSHF-së dhe njëherësh anëtari i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, Armand Duka, gjatë fjalimit të tij në Asamblenë e sotme të FSHF-së, ka folur edhe për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm të federatave të tri vendeve, Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë e Veriut, derisa ka folur edhe për pengesat që po i bëhen FFK-së nga individë të ndryshëm.
“E them me shumë kënaqësi se tri federatat tona kanë krijuar një klimë fantastike për të mirën e futbollit përmes shkëmbimit të eksperiencave, ndihmës që i japim njëri-tjetrit, organizimit të aktiviteteve të shumta, etj. Së fundmi në Kosovë kemi pasur një situatë të pakëndshme, e cila vetëm futbollit nuk i shërben ose e dëmton atë. Unë uroj që kjo situatë të jetë tejkaluar pas licencimit të FFK-së dhe klubeve nga Ministria e Sportit, për t’i hapur rrugën zhvillimit të futbollit”, ka thënë Duka.
Ai tutje i ka bërë thirrje të gjithë atyre që pengojnë mbarëvajtjen e punës së FFK-së që të heqin dorë nga kjo sjellje.
“Unë i bëj thirrje nga kjo asamble edhe atyre individëve që për arsye apo inate personale pengojnë mbarëvajtjen e punës në FFK, që të heqin dorë nga kjo sjellje dhe të bashkojnë forcat e energjitë me Presidentin Ademi, Komitetin Ekzekutiv dhe administratën e FFK për të mirën e lojës sonë. Për të mirën e futbollit në Kosovë”, ka nënvizuar Duka.
Ai gjatë fjalimit të tij ka folur edhe për të arriturat e futbollit shqiptar dhe për projektet e së ardhmes, me qëllim që futbolli në Shqipëri të ketë infrastrukturë sa më moderne dhe të jetë i kapshëm për të gjitha shtresat.