Duka: VAR-i e ndihmon futbollin, pres surpriza në sfidat e shtatorit
Armand Duka, presidenti i FSHF-ës, i ftuari në “Sport News” në News24 është ndalur në disa nga temat më të rëndësishme të momentit, Kombëtarja, tre sfidat e shtatorit, apo refuzimi i moderuar që i bënë dy lojtarët e Kombëtares, Balliu dhe Taulant Xhaka, ftesës së bërë nga Edi Reja.
106 ditë pa futboll – “Jo gjithmonë e kemi nisur edicionin ne gusht apo në shtator, por këtë radhë kishte arsye, për të mos filluar dhe ndërprerë ndeshjet e Kombëtares, e dyta ishte përfundimi i projektit VAR që do të implementohet këtë sezon. Në një konsensus së bashku me skuadrat kemi vendosur ta nisim në 11 shtator, por për kushtet klimaterike që kemi në do ta bëjë të mundur zhvillimin e një kampionati të mirë”.
Nedim Bajrami – “Në fakt ishte një lajm i mirë për ne që vendimi i CAS ishte pozitiv për Shqipërinë dhe futbollistin, një betejë që ka nisur që në fillim te vitit. Është një futbollist kualitativ dhe e ndihmon ekipin Kombëtar, dhe do të dëmtohej dhe karriera e lojtarit. Më ka gëzuar zgjedhja e tij, dhe në qoftë se nuk do të kishte një lajm të mirë do të cënohej e ardhmja e tij. Tani është zyrtarisht që mund të jetë me ekipin, por meqenëse nuk është lajmëruar Empoli do të flasim që Bajrami të udhëtojë drejt Shqipërisë ose sot ose nesër, Dhe vetë djali e ka pritur me padurim debutimin me Kombëtaren”.
Balliu dhe Xhaka – “Me Kombëtaren duhet të kesh nivel të mirë sportiv, duhet të kontribuosh, duhet të selektohesh nga trajneri, duhet dëshira për të luajtur me Kombëtaren dhe të grumbullohesh. Nuk e di nëse është rasti me Balliu dhe Xhakën. Nga komunikimi që kam parë sot mes Babamustës dhe Xhakës e Balliut, të dy janë shprehur se mund të luajnë por nuk janë në 100% të formës, në qoftë se do të thonin jo nuk do të kishin ftesë tjetër, por nuk është ky rasti. Për Kombëtaren duhet sakrifikuar shumë më shumë. Kemi rastin e Abrashit që nuk ka qenë në gjendje të mirë dhe ka provuar modelin me mpirje në Kombëtare dhe jo në klub”.
Objektivi i FSHF-së – “Kemi futbollist me nivel të mirë dhe të kënaqshëm, që aktivizohen dhe marrin minuta me klubet e tyre. Në këtë nivel janë pritshmëritë jo vetëm të federatës, por dhe të sportdashësve. Duke qenë se është dritarja e parë e ndeshjeve, mund të ndodhe çdo lloj surprize. Jo gjithë ekipe apo futbollistët e nisin me një marsh. Faktikisht uria jonë për suksese është me madhe se e tjerëve”.