Duka: Vokrri më propozoi të kandidoja për Komitet Ekzekutiv të UEFA-s
Presidenti i FShF-së, Armand Duka në një intervistë dhënë emisionit “Opinion” në TV Klan ka thënë se raportet e tij me ish-presidentin e FFK-së, Fadil Vokrri ishin të shkëlqyeshme.
Madje, e ka treguar një rast kur legjenda e futbollit shqiptar, sipas tij, i kishte propozuar që të kandidonte për Komitet Ekzekutiv të UEFA-s.
“Po të kthehem në vitet e para, 2002 kur unë jam zgjedhur President i Federatës së Futbollit, unë as që e mendoja se do të kandidoja ose do të pretendoja për të qenë anëtar i Komitetit Ekzekutiv apo Zv.President i UEFA-s. Më vonë, vit pas viti fillova të mendoja se ne edhe mund të përfaqësohemi pak më mirë. Pas një mbledhje që kishim në Zvicër isha me Fadil Vokrrin dhe ai më tha që ‘pse nuk kandidon për Komitet Ekzekutiv’ dhe aty fillova duke e menduar këtë gjë. Takova 2-3 kolegë dhe i pyeta. Pastaj kandidova për Komitet Ekzekutiv, në zgjedhjet e fundit isha dhe kjo është në përgjithësi tradita në UEFA, ai që votohet më shumë, bëhet Zv.President i UEFA-s dhe unë isha më i votuari në Kongres dhe u zgjodha”, ka deklaruar Duka.