Duka zbulon të ardhmen e Sylvinhos
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka folur për të ardhmen e trajnerit Sylvinho, ku deklaroi se kontrata me teknikun brazilian ka përfunduar, ndërsa theksoi se i është ofruar rinovimi që në muajin janar. Sipas tij, gjasat që të rinovojë janë mbi 50% dhe zbuloi se gjithçka do të mbyllet para finales së Evropianit.
“Kontrata me trajnerin ka mbaruar pas Evropianit. Ne i kemi propozuar rinovimin që në janar. Besoj se tani së shpejti do e finalizojmë. Ne kemi pasur biseda. Secili njeri mendon për veten e tij. Nëse i vjen një shifër marramendëse, edhe mund të shkojë. Kontrata është e përfunduar kur e firmos në letër. Gjasat që të rinovojë, sigurisht që është mbi 50%. Ne bëjmë aq sa mundemi për ta mbajtur, nuk mund të bëjmë më shumë se kaq. Në karrigen time, duhet të mendosh të gjitha gjërat. Dëshira për ta pasur është aq e madhe, sa ia kemi bërë që në janar ofertën për rinovim. Mbrëmë bëmë një festë të vogël me stafin. Sot Sylvinho iku të pushojë dhe do të rikthehet për të vendosur për të ardhmen. Do vendosim para se të përfundojë Evropiani. Do shkojmë ta shikojmë finalen bashkë. Nëse del një klub i La Ligës dhe i jep 5 milionë euro, e ka hallall. Mançini la Italinë, për lekët…”, ka deklaruar Duka.