Dukagjini rikthehet te fitorja, përmbys Suharekën si mysafir

15 shkurt 2025 | 17:00

Skuadra e Dukagjinit ka arritur një fitore të rëndësishme në AlbiMall Superligën e Kosovës, duke triumfuar si mysafire, me rezultat 2:1 ndaj Suharekës në kuadër të xhiros së 20-të.

Pjesa e parë u mbyll me epërsinë minimale të vendasve, të cilët kaluan në avantazh në minutën e dytë shtesë me golin e Fitim Susurit, pas një gabimi në mbrojtjen e Dukagjinit.

Në pjesën e dytë, skuadra e trajnerit Ismet Munishi reagoi fuqishëm. Altin Merlaku barazoi shifrat në minutën e 73-të nga penalltia, ndërsa vetëm tre minuta më vonë i njëjti futbollist realizoi një supergol nga gjuajtja e lirë, duke përmbysur rezultatin dhe siguruar tri pikë të rëndësishme për klinasit.

Suhareka mbeti me një lojtar më pak nga minuta e 83-të, kur qendërmbrojtësi Kemal Osmankoviq u përjashtua me karton të dytë të verdhë.

Me këtë fitore, Dukagjini ngjitet në vendin e shtatë me 24 pikë, një më shumë se Ferizaj, që ka një ndeshje më pak të zhvilluar.

Ndërkohë, Suhareka renditet e pesta me 26 pikë, dy më shumë se Gjilani, që gjithashtu ka një ndeshje më pak.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po vazhdon me numërimin e votave…