Dukagjini tërhiqet nga garat, Prizreni në Superligë
Klubi i hendbollit Dukagjini është tërhequr nga garat e Superligës së hendbollit dhe Federata e Hendbollit të Kosovës ka vendosur që këtë vend ta mbulojë klubi me traditë në hendbollin e këtushëm, KH Prizreni, i cili është organizuar mjaft mirë kohëve të fundit
Klubi i hendbollit Prizreni do të garojë në Superligë sezonin e ardhshëm, shkruan Gazeta Express. Në fakt, klubi me traditë në hendbollin kosovar do ta zë vendin e lënë vakant nga Dukagjini, i cili u tërhoq nga Superliga dhe në këtë mënyra Federata e Hendbollit të Kosovës unanimisht mori vendim që këtë vend të zbrazët ta zë klubi i hendbollit Prizreni.
“Bordi i FHK-së, në mbledhjen e mbajtur më datën 14.08.2019, pasi e mori shkresën e KH Dukagjini mbi tërheqjen nga garat e Superligës së meshkujve, unanimisht mori vendim që vendi i zbrazët në Superligë të plotësohet me KH Prizrenin, klub i cili për nga niveli organizativ, infrastruktural dhe garantimit të pjesës financiare nga përgjegjësit komunalë, i plotëson të gjitha kriteret të jetë anëtar i Superligës së meshkujve”, shkruan në vendimin e Bordit të FHK-së, të siguruar nga Gazeta Express.
Klubi i hendbollit Prizrenit është riorganizuar kohëve të fundit duke i bërë tri përforcime dhe tash është gati për pjesëmarrje në Superligë. Atë po e përkrahin dhe mbështesin edhe financiarisht dhe me rekuizita edhe ish-hendbollistët e këtij klubi, të cilët momentalisht jetojnë jashtë vendit. KH Prizreni është njëri prej klubeve më me traditë në hendbollin kosovar.