Duke përkujtuar Shaban Arifajn, folësin radiofonik të nivelit të lartë
Më 20 gusht, u nda nga ne Shaban Arifaj, një ndër folësit e shkëlqyer në radiotelevizion, nërsa sot kur po shkruajmë ne për të tashmë kanë kaluar 2 muaj dhe mungesa e tij çdo herë do të vërehej.
Plot pas 45 vjetësh e 10 ditësh, në gusht 1976 (11 gusht), kur humbëm ikonën e madh të mikrofonit, Gjakush Çaparin, po në muajin gusht, sot, më 20 gusht 2021, humbëm edhe një ikonë tjetër të mikrofonit, Shaban Arifajn.
Brezi që la gjurme dhe shkollë të vërtetë, në fushën delikate dhe shume të rëndësishme, të të folurit e të të lexuarit para mikrofonit. Ajo periudhë nxori folësish të shkëlqyer si Gjakush Çapari, mësues i Shaban Arifajt në ish-Radio Prishtinë e ish TV Prishtinën, sot Radio Kosova e RTK: Shaban Arifaj, Shyqyri Galica, Sanije Shala, Hasan Sala, Hamdi Mehmeti, Drita Gërmizaj, Faik Hima, Suzana Sala, Nafije Lamoja, Nexhmije Bytyçi, Hazbije Pajaziti – Mustafa e ndonjë tjetër dhe po ky brez në Radio Tirana, ndër më të shquarit si: Kalopi Nushi, Haki Bejleri, Vera Zhei, Kiço Fotjadhi, Meropi Maglia, Viron Noti, Feride Konomi, Elsa Xhai etj.
Këta zëra bënë që shqipja të tingëllojë aq bukur, aq këndshëm, aq pasionante, aq melodike. Zëra, që ndikuan t’i duam dhe adhurojmë të tillë folës me artin e përkryer të të lexuarit shqip para mikrofonit.
Ndër më të shquarit, pas Gjakush Çaparit, në ish Radio Prishtinë, tani Radio Kosova, ishte edhe Shaban Arifaj.
Këta folës, zotëronin nivel të përgatitje dhe cilësi të larta për mikrofonin; intonacion të përkryer, diksionin të shkëlqyer, respektim në maksimum të kritereve të leximit, të kalimit nga fjalitë kryesore te fjalitë e varura, që kërkojnë pauzat e domosdoshme, ashtu siç e është natyra e shqipes.
Në mbledhjen komomerative, në Radiotelevizionin e Kosovës, disa ish kolegë të Shaban Arifajt, vlerësuan në përgjithësi punën dhe angazhimin e Shaban Arifaj, si folës në radiotelevizion, si gazetar e si krijues letrar. Por do duhej së paku të shprehnin sot nevojën e shfrytëzimit të përvojës 40 vjeçare të Shaban Arifajt si model, shkollë dhe nivel i domosdoshëm për të lexuarit në mikrofon, si dhe për librin shumë të rrallë: Gjuha, zëri dhe figura në radiotelevizion etj., kushtuar këtij problem.
Nga kjo del se sa e domosdoshme, është shfrytëzimi i kësaj vlere, krijimi i një shkolle për lexim në mikrofoni, e përmirësimi rrënjësor i të lexuarit radiofonik.
Pse kaq i veçantë të të shkruarit përballë të të lexuarit?
Më shkrime, merren e mund të merren shumë njerëz. Por me të lexuarit që kërkon mikrofoni, kemi shumë pak, sepse është fushë e veçantë dhe shumë e vështirë, që kërkon dashuri, përkushtim respekt, për gjuhën dhe leximin radiofonik.
Sot kërkohet shembulli dhe niveli i zërit të leximit të Shban Arifajt, të mësuesit të tij Gjakush Çaparit dhe të tjerëve që përmendëm më lartë, e kërkon dhe e meriton gjuha jonë shqipe.
Për këto arsye, si shumë shtete edhe ne duhet të vendosim kritereve të rrepta, për ata që do të dalin para mikrofoni.
Një mirënjohje dhe respekt për Shaban Arifajn, për trashëgiminë dhe përvojën që na ka lenë edhe në fushën specifike të leximit shqip para mikrofonit.
Nderim dhe respekt për figurën e artistit të mikrofonit radioteleviziv, Shaban Arifajt!
M.Sc. Abedin Balaj