‘Duke u ngritur mbi armiqësitë e vjetra’
Referenca të ndryshme historike gjenezën e futbollit e kthejnë mbi dy mijë e treqind vjet pas, në Kinën dhe Greqinë e lashtë. Nën emrin kinez Cuju dhe atë grek Episkyros, loja me top u përvetësua edhe nga romakët, e njohur si Harpastum.
Vendlindje e futbollit si lojë e organizuar dhe e kodifikuar, ndërkaq, konsiderohet Anglia, afër dy shekuj më parë.
Kjo disiplinë sportive sot njihet më popullorja në botë, me prodhimtari të lartë emocionesh dhe ndikim të theksuar në relacione të ndryshme në nivel global.
Pesha e veprimeve të protagonistëve të famshëm të fubollit është e madhe, siç ishte, po e zëmë, heqja nga tavolina e një shisheje të pijes “Coca-cola” nga Ronaldo dy vite më parë, duke i shkaktuar dëme të mëdha kompanisë në tregun global.
Përtej kësaj, ndeshjet e futbollit në nivel përfaqësuesesh prodhojnë edhe emocion e ngarkesë të theksuar politike e ndëretnike. Shpërfaqin njëkohësisht në substancën e tyre relacionin e vërtetë midis popujve, që lojtarët përfaqësojnë në të dy anët e stadiumit.
Të këtillë mund ta shohim ndeshjen në kuadër të Botërorit midis Zvicrës dhe Serbisë në Katarin e largët. Sado që Zvicra nuk është shteti kombëtar i shqiptarëve, as të Shqipërisë as të Kosovës, falë lojtarëve shqiptarë që janë pjesë e kësaj përfaqësueseje, në relacion me përfaqësuesen serbe të futbollit ajo konsiderohet gati e tillë.
Provokimet dhe fyerjet e vazhdueshme të lojtarëve e shikuesve serbë në adresë të Xhakës e Shaqirit dhe reagimet e natyrshme të këtyre të fundit, siç u pa, prodhojnë efekte përtej tribunave të stadiumit.
Këto imazhe dhe emocionet e mëpastajme janë tregues të qartë se sa të lashta, por edhe sa komplekse e rigjide janë edhe sot e kësaj dite raportet midis popullit shqiptar dhe atij serb në Ballkan.
Sjelljet e futbollistëve serbë rinxjerrin në pah para publikut ndërkombëtar perceptimin e rrejshëm të ngulitur gjenetikisht në vetëdijen serbe për “lartësinë e popullit serb”, deri në nivelin hyjnor, kundrejt popujve të tjerë, veçanërisht atij shqiptar.
Diçka ndryshe kësaj, sidomos kur në pyetje janë shqiptarët, për ta është e paimagjinueshme dhe tmerrësisht e papranueshme. Prandaj edhe sjelljet e tyre janë jonormale.
Por, performanca e futbollistëve shqiptarë dhe pasojat e rezultatit final, do të duhej t’u shërbenin atyre si barometër i realiteteve të reja në rajon dhe peshës shqiptare në rritje, jo vetëm në stadiume futbolli. Sado e padurueshme të jetë kjo për ta.
(Musli Krasniqi)