Dukolli merr pjesë në dëgjimin publik për Ligjin e Inspektoratit të Punës
Zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Çerkin Dukolli, mori pjesë në tryezën e organizuar nga KDI-ja, për projektligjin e Inspektoratit të Punës.
Me këtë rast në këtë tryezë u prezantua edhe hulumtimi parlamentar i përgatitur nga Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale nga Kuvendi i Kosovës.
Në këtë tryezë merrnin pjesë, deputetët nga Kuvendi i Kosovës, MPMS, Sindikatat, anëtarë të shumtë nga shoqëria civile dhe media.
Zëvendësministri Dukolli ka falënderuar grupin punues të MPMS-së, kryesuesen e Komisionit Funksional të Kuvendit, Besa Baftiu, deputetin Bekim Haxhiu, sindikatat, si dhe shoqërinë civile për kontributin e dhënë në hartimin e këtij dokumenti.
Dukolli ka potencuar se qëllimi i hartimit të këtij projektligji është reformimi i institucionit të Inspektoratit të Punës sipas standardeve ndërkombëtare të ILO-s dhe praktikave më të mira të vendeve të Bashkimit Evropian.
“Përmes këtij projektligji, synojmë të fuqizojmë dhe reformojmë Inspektoratin e Punës, i cili mandat kryesor ka mbikëqyrjen e zbatueshmërisë së legjislacionit dhe akteve tjera tw cilat rregullojnë fushën e marrëdhënies së punës, dhe sigurisë e shëndetit në punë”, ka thënë ai.
Dukolli ka thënë se do të bashkëpunojnë ngushtë me komisionin parlamentar funksional edhe në këtë fazë ku ndodhet projektligji, në mënyrë që në fund të kemi një ligj i cili do të jetë funksional dhe i zbatueshëm për të gjitha çështjet që i trajton.
/Epoka e re/