Duma ruse voton që zyrtarisht t’i kërkohet Putinit njohja e pavarësisë së dy rajoneve ukrainase
Dhoma e ulët e Parlamentit të Rusisë, e njohur si Duma, ka votuar për t’i kërkuar zyrtarisht presidentit Vladimir Putin që ta njohë pavarësinë e rajoneve separatiste në lindje të Ukrainës, duke i rritur, me gjasë, tensionet.
Kryetari i Dumës, Vyacheslav Volodin, ka thënë se rezoluta do t’i dërgohet Putinit menjëherë. Kremlini deri më tash nuk e ka publikuar pozicionin e vet për këtë propozim, shkruan “Bloomberg”.
Duma ka refuzuar një draft të propozuar nga partia në pushtet, “Rusia e Bashkuar”, për ta dërguar fillimisht rezolutën në Ministrinë e Jashtme për shqyrtim.
Rusia i ka përkrahur ushtarakisht dhe financiarisht që nga themelimi, më 2014, zonat e kontrolluara nga separatistët në Ukrainën Lindore, të ashtuquajtura Republika Popullore e Donetskut dhe Republika Popullore e Luhanskut. Sidoqoftë, zyrtarisht, Rusia ka mohuar se ka ofruar përkrahje me armë për këto entitete dhe e përkrah planin që bën thirrje për riintegrimin e tyre në Ukrainë.
Njohja e mundshme e pavarësisë së këtyre rajoneve separatiste nga Rusia do të mund t’i ndërlikonte përpjekjet për zbatimin e paktit dhe t’ia hapë rrugën dërgimit të hapur të armëve këtyre rajoneve nga Moska, diçka që partia në pushtet tashmë ka propozuar.