Dumoshi dhe Ahmeti flasin për ndërtimin e Shtëpisë së Operës dhe Baletit
Ndërtimi i Shtëpisë së Operës dhe Baletit, gjetja e një vendi më të përshtatshëm për ndërtim si dhe projekte të tjera në fushën e kulturës, kanë qenë temat e bisedës në takimin që ka zhvilluar ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.
Dumoshi dhe Ahmeti, kanë biseduar edhe për muzeun bashkëkohor, ndërtimin e sallës koncertale, etj.
Dumoshi ka thënë se me kryetarin do të takohen edhe një herë, për të biseduar më detajisht për teatrin e Operës dhe Baletit.
“Me kryetarin dhe drejtorët diskutuam edhe bashkërendimin në projekte të ndryshme. Biseduam për teatrin e Operës dhe Baletit, për muzeun bashkëkohor, stadiumin e qytetit, për qendrën e tenisit që ministra do ta mbështesë. U morëm vesh ta kemi një takim më të gjere sidomos për teatrin e operës dhe baletit”, ka thënë Dumoshi
Ndërsa kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se me ministren diskutuan për ndërtimin e sallës koncertale si dhe Operës dhe baletit
“Kemi diskutuar për temat të cilat janë të përbashkëta dhe edhe ministria nuk është që për herë të parë njihet me projektet. Tash kemi nevojë të koordinohemi për bashkëfinancime të ndryshme, për aktivitete kulturore dhe projektet nacionale qoftë për sportin apo për sallën koncentrat, pallatin e operës dhe baletit. Kemi biseduar edhe për infrastrukturën në mënyrë që të kemi më shumë salla”.
“Kemi interes ta kemi teatrin e operës dhe baletit në një vend më të mirë. Do ishte mirë t’i bëjmë fondet bashkë. Besoj presim kalimin e buxhetit sa ndan qeveria. Ministria ka shpall konkurs për dukjen e teatrit”, ka thënë ai.
Ahmeti ka thënë se prioritet do të kenë sallën koncertale, por që kanë disa opsione se ku do të ndërtohet, më tej tha se do ta presin edhe buxhetin që pastaj të kenë edhe një koordinim më të detajuar.
Që nga viti 2009, përveç gërmimeve të hapësirës dhe vënies së gurthemelit të Shtëpisë së Operës dhe Baletit, nuk është bërë asnjë punë në terren për realizimin e projektit./EO/