Dumoshi: Kushtetuesja edhe njëherë konstatoi se LV-ja dhe partnerët e saj, përmes Kuvendit kanë shkelur Kushtetutën
Deputetja nga radhët e LDK-së, Vlora Dumoshi, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me rastin e shkarkimit të Kimete Gashi, nga pozita e anëtares së Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OShP).
Sipas Dumoshit, vendimi i gjykatës është një fitore e kushtetutshmërisë dhe demokracisë në Kosovë.
“Edhe një fitore kushtetutshmërisë dhe demokracisë në Kosovë. Gjykata Kushtetuese edhe njëherë konstatoi se LV-ja dhe partnerët e saj, përmes Kuvendit kanë shkelur Kushtetutën e Kosovës. Gjykata Kushtetuese sot ka njoftuar se ka marr vendim lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit të 13 korrikut 2023 të Kuvendit të Republikës së Kosovës, për shkarkimin e zonjës Kimete Gashi nga pozita e anëtares së Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OShP). Në këtë rast gjykata ka vendosur, me tetë vota për dhe një kundër, që vendimi i 13 korrikut 2023 i Kuvendit të Republikës së Kosovës për shkarkimin e anëtares së Bordit të OShP-së, nuk është në përputhshmëri me paragrafin 9 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] dhe paragrafin 1 të nenit 142 [Agjencitë e Pavarura] të Kushtetutës. Ua kujtoj se kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit është parashtruar në Gjykatë nga unë dhe është mbështetur nga njëmbëdhjetë (11) deputetë tjerë të Kuvendit të Kosovës”, ka shkruar Dumoshi në rrjetet sociale.