Dumoshi në Gjakovë: Jam e kënaqur me dinamikën e punimeve në stadium
Punimet për ndërtimin e stadiumit të Klubit të Futbollit Vëllaznimi nga Gjakova po vazhdojnë me një intensitet të madh.
Për t’i parë këto punime, në vizitë ishte ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, e cila, sipas zyrtarëve të klubit dhe atyre komunalë, është më meritorja për nisjen e këtyre punimeve. Në takimin që ka pasur me kryetarin e Gjakovës, Ardian Gjini, Dumoshi i garantoi përfundimin e këtij projekti.
“Vërtet vizita në Gjakovë pati një përmbajtje shumë interesante sepse investimi është duke u bërë i madh në stadiumin e Vëllaznimit, një gjeneratë e tërë pothuajse 100 vjet ekziston ky klub”, ka deklaruar Dumoshi. “Ne kemi filluar ta ndërtojmë këtë stadium dhe unë jam e kënaqur me dinamikën e punëve që i paskan bërë dhe tash do të vazhdojmë më tutje. Të hollat do të jenë në buxhet, kështu që këtë i garantoj kryetarit”, ka shtuar Dumoshi, e cila ka bërë me dije se ky stadium do të jetë i kategorisë së katërt të UEFA-s. Ndërsa i pari i Gjakovës, Ardian Gjini, pati fjalë të mëdha për Dumoshin. Ai ka thënë se me insistimin e saj ka filluar ndërtimi i stadiumit, raporton “EO”.
“Sot e kam kënaqësinë ta pres në Gjakovë ministren Dumoshi, e cila është jashtëzakonisht meritore që kemi arritur deri në këtë fazë ndërtimin e stadiumit të futbollit në Gjakovë”, ka deklaruar kryetari Gjini. “Punimet janë duke vazhduar me një ritëm goxha të kënaqshëm dhe unë mendoj se Gjakova dhe kjo zonë e Dukagjinit e meriton një tempull të tillë të sportit. Nuk do t’i kishim filluar punimet nëse nuk do të kishit insistuar ju ministre”, ka shtuar Gjini.