Duranti magjik për Golden State, zhgënjejnë sërish Lakersat
Golden State ruan kreun e renditjes në Konferencën e Perëndimit pas fitores së vështirë në fushën e Philadelphias me rezultatin 120-117.
Një përballje mes dy ekipesh pretendente në Konferencat përkatëse, që luftuan deri në fund për fitore dhe spektakli nuk mungoi. Ben Simmons realizoi një “triple double” për Philadelphian, me 25 pikë 15 rebound e 11 asistime, por që mbetën për statistikë. Për Warriors u dalluan Duranti me 34 pikë, Curry me 28 e Cousins me 25 pikë, një trio që bëri diferencën në parket.
Vijon të zhgënjejë skuadra e Lakers, që u mund 118-109 në fushën e Phoenix, tjetër ndeshje e dobët e kalifornianëve, që i largohet gjithnjë e më shumë zonës së “play-off”-it. Vendasit e dominuan ndeshjen, ku u dalluan Ayton me 2 6pikë e Booker me 25. Për Lakers u dalluan James me 27 pikë e 16 asistime si dhe Ingram me 25 pikë, por që s’mjaftuan për të evituar humbje. Rikthehet te fitorja skuadra e San Antonio, që mundi 116-102 Oklahomën, një përballje gjigantësh në Perëndim. Spurs e dominuan ndeshjen, ku u dallua Aldridge, autor i 27 pikëve e 10 rebound, raporton “Telesport”.
Humbet edhe skuadra e Milwaukee, ekipi që kryeson renditjen në Lindje, që u mund 115-111 nga Utah Jazz. Ndeshje ku herë udhëhiqte njëri ekip e herë tjetri, por në fund Jazz triumfuan falë 46 pikëve të Mitchell, një përbindësh në parket. Zhgënjen skuadra e Denver, që u mund në fushën e tij 120-112 nga New Orleans, duke humbur kështu ritmin e Golden State. Edhe pse vendasit u shkëputën deri në 20 pikë në pjesën e parë (Jokic e Murray nga 20 pikë), kjo s’mjaftoi për të fituar. Për miqtë u dalluan Holiday me 29 pikë e Randle me 28 pikë e 10 rebound.
Rezultatet
Cleveland – Detroit 93-129
Indiana – Orlando 112-117
Miami – Brooklyn 117-88
Dallas – Memphis 81-111
Philadelphia – Golden State 117-120
San Antonio – Oklahoma 116-102
Denver – New Orleans 112-120
Phoenix – Lakers 118-109
Utah Jazz – Milwaukee 115-111